7 Marsi, festohet sot Dita e Mësuesit

76

shkolla7marsiSot shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit. Në të gjithë vendin zhvillohen sot aktivitete të ndryshme ku nderohet dhe respektohet puna dhe kontributi i mijëra arsimtarëve për arsimimin dhe edukimin e brezit të ri.

Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me mësuesit theksoi se do të ketë një vlerësim të ndryshëm për mësuesit të cilët kanë rezultate të larta. Sipas tij, për këta mësues do të ketë bonuse në pagë.

“Do të normalizojmë procesin e rekrutimit dhe vlerësimit të mësuesve dhe shkollave, pasi si mësuesit edhe shkollat do të kenë vlerësimin e vetë të performancën e tyre në mënyrë që edhe prindërit ta dinë se ku po e çojnë fëmijën, jo vetëm nga emri. Do të normalizojmë maturën shtetërore dhe ka nisur procesi i reformës. Do të kemi një maturë shtetërore që besoj se do kapërcejmë ato hendeqe që janë vërejtur në të shkuarën”, tha Rama.

Ndërkohë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, është takuar dje me mësuesit shqiptarë që japin mësimin plotësues të gjuhës shqipe falas për fëmijët e emigrantëve shqiptar që punojnë e jetojnë në Greqi. Ministrja pasi i ka uruar mësuesëit emigrantë për festën e tyre të 7 Marsit i ka dëgjuar ata për problemet dhe vështirësitë që hasin në dhënjen e mësimit plotësues të gjuhës amtare.

Ministrja nga ana e saj duke e vlerësuar ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare tek fëmijë shqiptar si një prioritet madhor u ka ofruar atyre ndihmën e pakursyer të ministrisë që ajo drejton për zgjidhjen e problemeve siç ishin, baza material kryesisht tekstet shkollore. Asistencë teknike dhe hartimi i një programi të detajuar për mësimdhënjen jashtë vendit.

Kjo datë e ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqipe, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti Shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjetore shqipe të Korçës e cila u themelua më 7 mars 1887.