Kurorën e parë te varri i Ismail Qemalit e vendosi Presidenti Nishani, i ndjekur nga Kryetari i Parlamentit Ilir Meta si dhe nga kryeministri Edi Rama. Ndërsa kurorën e fundit me lule e ka vendosur Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Të pranishëm në aktivitetin e Vlorës janë edhe autoritete nga Kosova.
Pas ceremonisë, kryeministri Edi Rama në një prononcim të shkurtër është shprehur: “Falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot në Vlorë, ne si qeveri jemi të angazhuar ta çojmë shtetin përpara. I uroj gjithë shqiptarëve Gëzuar këtë festë të madhe!”.
Presidenti i Republikës,Bujar Nishani, Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kanë program të përbashkët vetëm në nisjen e ceremonive të festimit të Ditës së Flamurit në Vlorë. Në orën 11:00, ata ishin bashkë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit dhe më pas vendosjes së kurorave me lule te varri i Ismail Qemalit. Më pas, programi i festimeve mes Presidentit dhe Kryeministrit Rama ndahet.
Festohet sot në të gjithë vendin, 101-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Një axhendë e ngjeshur aktivitetesh janë parashikuar në kryeqytet dhe veçanerisht edhe në Vlorë, aty ku 101 vite më parë Ismail Qemali i shoqëruar dhe nga 83 delegatë shpalli pavarësinë e vendit.