15 shenja dhune në trupin e Ilia Karelit

75

ilia 2Është përcjellë për në banesën e fundit, Ilia Kareli, shqiptari që humbi jetën në një burg të Greqisë. Ai u varros në fshatin Zhupan të Fierit dhe arkivoli me trupin e pajetë shoqërohej nga njerëz që mbanin në duar flamurin kombëtar.

Gjithashtu, trupit të pajetë të Ilia Karelit sot iu bë një ekspertizë e re mjeko-ligjore në morgun e Fierit, pas pretendimeve të familjarëve se, e kanë keqtrajtuar në mënyrë monstruoze, deri sa i kanë shkaktuar vdekjen në burgun grek.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Fierit thanë se, në trupin e Ilia Karelit u gjetën 15 shenja dhune, të cilat i kanë shkaktuar edhe vdekjen.

Ekspertiza u krye nga një grup prej 3 ekspertësh mjeko-ligjorë, dy nga Tirana dhe një nga Fieri. Rezultatet e ekspertizës pritet të publikohen gjatë orëve në vazhdim, ndërsa Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet për vdekjen e Karelit.

Rreth orës 06:30 të mëngjesit të sotëm, policia e Fierit ka marrë nga familjarët trupin e pajetë të Kudret Kumes për t`i bërë ekspertizën mjeko-ligjore.

Trupi i pajetë i Kudret Kumes mbërriti nga Greqia, pasditen e djeshme në banesën e tij, në fshatin Zhupan të Fierit, ku edhe do të varroset nga familjarët e tij.

Ekzaminimet mjeko-ligjore në Greqi treguan se, ai u rrah në mënyrë brutale nga policët grekë që i thyen kafazin e kraharorit me shkop gome, ndërsa ka dyshime se përdorën dhe elektroshokun, si hakmarrje për vrasjen e gardianit grek.

Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë gjetur shenja djegieje në pëllëmbën e dorës së djathtë të 40-vjeçarit, gjë që dëshmon se Kareli është torturuar.

Ndërkohë rezultati i mjekut ligjor përjashton mundësinë që vdekja e Ilia Karelit të ketë ndodhur për shkaqe natyrale, pra si komplikacion i zemrës ose shkaqe të tjera patologjike, dhe arrin në përfundimin se shkaku i vdekjes është dëmtimi i kafazit të kraharorit nga goditjet me shkop gome. Raporti mjeko-ligjor në Greqi flet për dëmtime në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme.

Ilia Kareli apo Kudret Kume, prej 1997 ishte burgosur në burgjet greke për një sërë akuzash. Ditë më parë ai kërkoi leje për të takuar nënën e tij, e cila ishte e sëmurë, por pas refuzimit të radhës që ju bë nga autoritetet, në shenjë proteste ai vrau një gardian në burgun e Malandrinos.

Pas ngjarjes ai akuzoi drejtësinë greke se nuk po e lejonte të takonte familjarët. 40-vjeçari u transferua në një burg tjetër, atë të Nigratas, ku gjeti edhe vdekjen nga torturat.