Zyrtarët egjiptianë: Rivendoset qetësia në vend

55

9483FB88-A58F-4529-9E59-6CF016A5498A_w640_r1_s_cx0_cy10_cw0VOA

Zyrtarët egjiptianë thonë se në vend është rivendosur qetësia. Vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme për orët e natës, e vendosur pasi policia përdori mjetet e blinduara dhe bulldozerët për të shkatërruar dy kampe protestuesish në Kairo.

Qeveria e përkohëshme thotë se 278 vetë, përfshirë 43 policë gjetën vdekjen dje.

Por një zëdhënës për Vëllazërinë Myslimane, e cila kërkon rikthimin në post të ish-presidentit Mohamed Morsi, thotë se 2600 vetë gjetën vdekjen kur policia qëlloi mbi turmën e demonstruesve me armë automatike.

Dëshmitarët dhe gazetarët njoftojnë se trupat e të vrarëve janë dërguar në mjedise të shndërruara në morg të përkohëshme dhe në spitale fushore. Islamistët organizuan protesta edhe në Aleksandri, Minia, Asiut dhe Suez ndërkohë që revoltimi po përhapet.

Qeveria ka paralajmëruar prej ditësh se do të ndërhynte kundër protestuesve, pjesa më e madhe e të cilëve mbështesin zotin Morsi.

Ministri i Brendshëm Mohamed Ibrahim thotë se policia përdori masa minimale force kundër kampeve të protestuesve, duke shfrytëzuar vetëm gazin lotësjellës. Ai fajëson Vëllazërinë Myslimane për atë që e cilësoi si status kaosi në të gjithë vendin. Ai akuzoi anëtarët e kësaj organizate se kishte qëlluar në drejtim të policisë, kishte sulmuar ndërtesat qeveritare dhe kishte djegur kisha.