Zhbllokohet rruga Prishtinë – Leposaviq

61

f1_01radar1375339617Rruga magjistrale Prishtinë – Leposaviq, e cila ishte bllokuar në Rudar, në veri të Mitrovicës, është liruar për qarkullim, të mërkurën, pas orës 20, raporton Kohanet.

Serbët lokalë kanë larguar përkohësisht nga rruga mjetet që i kishin vendosur, në shenjë proteste ndaj arrestimit të dy bashkëkombësve të tyre. Protestuesit e kanë marrë vendimin për zhbllokim pas lirimit nga arresti të Sllobodan Repiqit, por kanë kërkuar që të lirohet edhe Zharko Veselinoviqi, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Përndryshe, ata janë kërcënuar se do të bllokojnë përsëri qarkullimin në rrugë, madje jo vetëm në Rudar, por në të katër komunat me shumicë serbe në veri: Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të veriut.

Në kumtesën e nënshkruar nga nënkryetari i komunës paralele të Zveçanit, Dragisha Milloviq, thuhet se serbët e veriut të Kosovës do të vendosin përsëri barrikada dhe do të protestojnë paqësisht në rast se përsëritet praktika e “arrestimit të pabazë” të tyre.

Në kumtesë u adresohen falënderime edhe përfaqësuesve të UNMIK-ut, KFOR-it dhe EULEX-it për, siç thuhet, “kontributin e dhënë për mbajtjen nën kontroll të situatës së sigurisë”.

Veselinoviqi dhe Repiqi ishin arrestuar të premten, në Rudar, nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës, në bazë të dyshimit se kanë marrë pjesë në tentimin e vrasjes së zëvendës-drejtorit të Zyrës Administrative të Kosovës në Mitrovicë, në dhjetor të vitit të kaluar.