Zgjidhet misteri i kompjuterit të vitit 65 para Krishtit

66
antikythera2_372x192
foto The Guardian

Një kompjuter dy mijë vjeçar, i gjetur në mbetjet e një anijeje romake të mbytur, kishte lënë pa fjalë prej kohësh shkencëtarët, të cilët më në fund kanë arritur të zbulojnë sekretin e mënyrës, se si funksiononte mekanizmi i sofistikuar.

Pajisja kishte humbur mes ngarkesës që transportonte anija romake e mbytur në vitin 65 para Krishtit, e cila flinte prej gjatë gjithë kësaj kohe, pranë bregut të ishullit Antikuthera të Greqisë në thellësinë 42 metra.

Në vitin 1990, rastësisht, Elias Stadiatos, zbuloi trupin e anijes së mbytur dhe nisi të nxirrte një numër të madh statujash e veprash të tjera arti. Makina e lashtë doli në dritë, kur një arkeolog, që po kujdesej për objektet e zbuluara, vuri re se, në një gur ishte fiksuar një ingranazh i metaltë. Inspektime më të kujdesshme bënë që nga trupi i anijes të nxirreshin 80 ingranazhe të tjera, shumica prej të cilave të ngjashme me ato të orëve, si dhe një kasetë e punuar me dru e bronz, mbi të cilën lexoheshin mbishkrime greke.

Që nga zbulimi i saj, shkencëtarët u përpoqën për shumë kohë ta rindërtonin pajisjen, e cila tani njihet si kalendar astronomik, në gjendje të përcaktojë me saktësi të habitshme pozicionin e diellit, disa prej trupave më të mëdhenj qiellorë, si edhe fazat e Hënës. Ekspertët besojnë se, bëhet fjalë për pajisjen më të lashtë të njohur deri më sot, ku janë përdorur ingranazhe të dhëmbëzuara, si edhe objekti më i sofistikuar i lashtësisë, që ka mbërritur në duart e njerëzimit.

Duke përdorur tomografinë me rreze X të kompjuterizuar, si dhe skanues sipërfaqësor me rezolucion tepër të lartë, një skuadër e drejtuar nga Mike Edmunds dhe Tony Freeth të Universitetit të Cardiff, arritën të shihnin përtej sipërfaqes së mekanizmit dhe të deshifronin germat e zbehta, që dikur lexoheshin qartë në kasën e makinës.

Ekzaminimi i detajuar i mekanizmit u dha mundësinë shkencëtarëve të dilnin në përfundimin se i përkiste viteve 150-100 para Krishtit dhe se përbëhej nga 37 ingranazhe të dhëmbëzuara, të cilat i jepnin mundësinë të ndiqte lëvizjet e Hënës e të Diellit, të parashikonte eklipset, si edhe të rikrijonte orbitën e çrregullt të Hënës. Lëvizja e njohur sot si anomalia e parë e Hënës, ishte vënë re nga astronomi i quajtur Hiparku i Rodit, në shekullin e dytë para Krishtit, fakt që i bën shkencëtarët të spekulojnë se, duhet të ketë ndihmuar edhe në prodhimin e pajisjes.

Skanimet tregojnë, se pajisja përdor një ingranazh diferencial, i cili mendohej, se ishte shpikur jo më herët se shekulli XVI. Niveli i detajimit dhe kompleksitetit të përbërësve metalikë është i krahasueshëm me atë të orëve të prodhuara gjatë shekullit XVIII. Disa nga shkencëtarët mendojnë se makina, e njohur si mekanizmi i Antikutherës, mund të ketë qenë një prej objekteve të shumta që përbënin thesarin e ngarkuar në anije, i cili ishte nisur nga ishulli i Rodit drejt Romës për një festë të organizuar nga Jul Cezari.

Një prej mistereve, për të cilët shkencëtarët nuk arrijnë të gjejnë përgjigje të pranueshme, është përse teknologjia që është përdorur për prodhimin e makinës është zhdukur. Besohet se asnjë civilizim nuk ia ka dalë të ndërtojë pajisje kaq komplekse për të paktën njëmijë vjet. Një nga përgjigjet mund të na vijë nga fakti që bronzi në atë kohë riciklohej, gjë që ka bërë që shumë objekte e sende të prodhuara në atë epokë të shkriheshin për t‘u përdorur për qëllime të tjera.

Nëse e shohim kështu, mbytja e anijes që transportonte mekanizmin e Antikutherës, ka qenë vërtet një fat i madh për njerëzimin, duke parë se mundësoi mbërritjen e pajisjes në ditët e sotme. “Kjo pajisje është e jashtëzakonshme”, tha profesor Edmunds. “Rezultatet e saj astronomike janë krejtësisht të sakta… duke folur në terma të rëndësisë historike, duhet të kuptojmë se ka më shumë rëndësi se Mona Liza”. Studimi, i cili u publikua në revistën “Nature” para pak ditësh, u krye në bashkëpunim me studiues nga Muzeu i Arkeologjisë së Athinës, ku mekanizmi ruhet, që në çastin kur është gjetur. / the Guardian-Science/