“Xhihadi i Kosovës” policia zbulon origjinën e-mailit kërcënues

68

xhihadi kosovarLetra kërcënuese e 12 nëntorit në drejtim të Policisë së Kosovës nga i ashtuquajturi “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë” dyshohet të jetë dërguar nga fshati Bresalc i komunës së Gjilanit, aty ku edhe e kanë prejardhjen tre nga gjashtë të arrestuarit për përgatitje të terrorizmit.

Gjashtë personat janë arrestuar më datën 5 nëntor të këtij viti në Prishtinë e Gjilan nën dyshimin se po përgatisnin një sulm terrorist. Siç shkruan “Zëri”, gjashtë ditë pas arrestimit janë publikuar në detaje arsyet e arrestimit të tyre dhe armatimi që të dyshuarve u është gjetur në ditën e arrestimit.

Një ditë më vonë policia ka marrë një e-mail kërcënues nga “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë” të cilët përmes postës elektronike kanë kërkuar lirimin e gjashtë të arrestuarve. Në të kundërtën, policia do të pësonte sulme nga ky grup.

Që në ditën e marrjes së këtij e-maili, Policia e Kosovë ka nisur hetimin në disa pista për të vërtetuar se prej nga është dërguar e-maili kërcënues.

“Policia e Kosovës po heton në disa pista të dyshimta e që njëra nga to është fshati Bresalc i komunës së Gjilanit”, ka thënë një burim i gazetës Koha, teksa ka konfirmuar se deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar në lidhje me këtë kërcënim.

Sipas vendimit mbi të cilin është caktuar paraburgimi ndaj gjashtë personave, nga fshati Bresalc janë tre nga gjashtë të arrestuarit, Valon Shala, Genc Selimi e Musli Hyseni, derisa i arrestuari tjetër Ardian Mehmeti jeton në Gjilan, si dhe Nuredin Sylejmani e Bekim Mulolli në Prishtinë.

“Disa ditë pasi që i kanë arrestuar djemtë, policia ka qenë sërish në fshat dhe e ka kontrolluar njërën nga dy zyrat prej të cilave shpërndahet interneti në Bresalc”, ka treguar njëri nga banorët.

Gjashtë të arrestuarit e 5 nëntorit do të qëndrojnë në paraburgim së paku një muaj, ngase kështu ka vendosur Gjykata Themelore e Prishtinës në vendimin për caktimin e paraburgimit.