Withers: Mbetjet e së shkuarës komuniste u larguan dhe demokracia u rivendos

15

john-withersNë një letër dërguar shqiptarëve përmes Top Channel, ish-Ambasadori Amerikan në Tiranë, John Withers thotë se vota e 23 qershorit ishte një akt historik.

LETRA E PLOTË E ISH-AMBASADORIT WITHERS

Të dashur miq!

Prej më shumë se një viti, unë kam folur dhe shkruar disa herë dhe për disa raste. Asnjëra nuk ka qenë kaq e  mrekullueshme sa sot. Pas disa vitesh tranzicioni, ju, populli i Shqipërisë folët. Të dielën, më 23 qershor, në një akt të përbashkët kurajoje dhe mençurie, ju u deklaruat në mënyrë të jashtëzakonshme pro lirisë. Veprimi juaj ishte historik dhe admirimi im për ju, gjithmonë i thellë, u thellua edhe më shumë.

Një njeri i madh dikur ka thënë: “Historia ofron momente të rralla kur njerëzit, kapërcejnë të vjetrën për të përqafuar të renë, kur një epokë përfundon dhe kur shpirti i një kombi të shtypur gjatë, çlirohet”. I tillë ishte rasti i 23 qershorit në Shqipëri. Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit rigraduan busullën e historisë suaj kombëtare. Mbetjet e së shkuarës komuniste u larguan dhe demokracia u rivendos. Tani e tutje, nuk duhet të ketë më kthim pas.

Por unë besoj se këto zgjedhje janë shumë më shumë se qendrime politike, shumë më shumë se sa votë për njërën apo tjetrën parti. Në radhë të parë, ato ishin riafirmimi i idealeve të shqiptarëve që gjithmone kanë ushqyer dhe trashëguar. Që nga kohët e lashta të historisë, nga Pirro e Teuta, te Skënderbeu e Ismail Qemali, shqiptarët kanë luftuar për liri, shpesh edhe në pamundësi të papërfytyrueshme. Që nga shekujt e errët të pushtimeve, ju keni ruajtur ndezur dritën e shenjtë. Qëndresa juaj e një jave më parë e rikonfirmoi marrëveshjen shpirtërore me paraardhësit tuaj trima dhe në kërkim të pashtershëm të lirisë. Dhe në këtë kontekst unë nuk jam i suprizuar: Ju jeni shqiptarë!

Unë nuk mund të them se ju arritët demokracinë perfekte përmes votës, por tani, me besimin dhe përpjekjet e vazhdueshme, ju e keni vendosur ne prioritetet tuaja të arritjeve. Dhe për sa kohë që ju keni si pikësynim këtë sfidë dhe me besim dhe përpjekje për të, do të keni pa pushim mbështetjen e SHBA dhe popullit të saj. Pavarësisht se kë mbështetët, humbesit apo fituesit, kjo nuk ka rëndësi. Amerika i zgjat dorën të gjithë atyre që e kanë shumë të shtrenjtë demokracinë, nuk ka rëndësi se kujt partie i bashkohen. Kështu ka qenë gjithmonë, kështu ka për të qenë gjithmonë.

Unë dua t’i përçoj urimet e mia të sinqerta, kryeministrit të ardhshëm Rama. Ai është një njeri me një inteligjencë unike, prespektivë dhe vizion, i palodhur në devotshmërinë për Shqipërinë. Fitorja e tij ishte e mirëvotuar dhe mëse e merituar. Një sërë detyrash janë përpara tij, por askush si ai nuk ka vlerat për t’ju udhëhequr në epokën e re që ju pret.

Më lejoni të them edhe disa fjalë për kryeministrin në ikje Berisha. Unë rrallë kam qenë dakort me politikat e tij të brendshme, por e kam respektuar atë si njeri. Ndoshta historia do ta gjykojë atë më drejt. Unë i uroj më të mirën në angazhimet e tij të reja.

Në fund, më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia për ata që u lënduan në incidentin e përgjakshëm në ditën e zgjedhjeve. Vdekja e Gjon Gjonit në Laç ditën e zgjedhjeve ishte tragjike. Unë shpreh ngushëllimet e thella për familjarët dhe miqtë.

Në mbyllje, unë ju uroj Ju, miqtë e mi shqiptarë, suksese dhe gëzime në ditët që vijne. Ruajeni qëndresën që ju drejtoi në këtë triumf tejet të rëndësishëm! Ruajeni të pastër dritën që ju prin në rrugën tuaj!

Sinqerisht John L. Withers II

/ Top Channel