Në nivel kombëtar e majta llogaritet të jetë afër 16 pikë më shumë se koalicioni i djathtë i udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha. Opozita, sipas rezultateve deri në mesditë është në epërsi në 11 qarqe të vendit, me përjashtim të Kukësit.
Ajo që bie në sy, deri më tani, është fakti se e majta ndodhet në avantazh edhe në qarqe si Shkodra, Lezha e Dibra, të konsideruara historikisht si bastione të së djathtës. Të përkthyera në mandate, shifrat e deritanishme, do t’i jepnin opozitës mbi 80 nga 140 vende në parlament
Procesi i numërimit po ecën më ngadalësi. Ai nisi pak pas mesnatës por gjatë gjithë kohës, pothuajse në të gjithë qarqet e vendit është shoqëruar me ndërprerje të shpeshta. Deri në mesditë nuk ka patur asnjë deklaratë nga udhëheqësit e kampeve kryesore politike.