Vijojnë kërkimet për kapjen e Taulant Gjinit

81

policia-rrugorePolicia po vijon operacionin për kapjen e të shumëkërkuarit Taulant Gjini. Operacioni i komisariatit të Sarandës, i forcave të RENEA-s dhe FNSH-së është përqëndruar në zonat më të thella të Sarandës, kryesisht në fshatin Metoc, përtej Shëndëllisë, fshat ku ndodhi sulmi ndaj policisë një ditë më parë.

Sipas burimeve në policinë e Sarandës nuk ka të dhëna që Taulant Gjini apo personat që e shoqërojnë atë të kenë kaluar kufirin, ndaj është rrethuar një ndër zonat më të thella të fshatrave të Sarandës, ku besohet se fshihet i kërkuari.

Krerët e komisariatit të Sarandës u sulmuan me mitraloza gjatë aksionit për arrestimin e Taulant Gjinit. Shefi i antitrafikut dhe narkotikëve, Orgest Mezini, dhe shefi i krimeve Orges Thomai së bashku me 6 efektivë të tjerë ishin në një operacion për arrestimin e Gjinit në fshatin Shëndelli.

Por, sapo kanë hyrë në fshat, dy makinat e policisë janë përpallur me një pritë dhe mjeti ku udhëtonin Mezini dhe Thomai është goditur me breshëri plumbash, që vinin nga tre drejtime të ndryshme.

Fatmirësisht askush prej oficerëve nuk ka mbetur i lënduar, ndërsa personat e armatosur së bashku me Gjinin kanë mundur të largohen.

Policia sekuestroi një mitraloz dhe një automatik që dyshohen se i përkasin autorit të sulmit Taulant Gjini. Ky i fundit është shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje, i dënuar më parë në Greqi.

Ai akuzohet se bën pjesë në një nga grupet më të mëdha të trafikut të drogës nga Saranda në Igumenicë e Korfuz. Grupi i tij i përbërë nga të paktën 7 persona, banorë të Sarandës, Shëndëlliut, Vrines, Xarrës e Mursisë. Policia shoqëroi dje rreth 30 persona, por pas marrjes në pyetje u lanë të lirë.