Venizelos takon Bushatin, Pirro Dhima në Tiranë si deputet i Parlamentit grek

57

dhimaMinistri i Jashtëm dhe zv/kryeministri grek, Evangelos Venizelos, po zhvillon një vizitë zyrtare ne Shqipëri. Pjesë e delegacionit grek është edhe deputeti i PASOK-ut, i lindur dhe rritur në Shqipëri, Pirro Dhima.

Ministri grek Venizelos e ka nisur vizitën e tij me një takim me homologun shqiptar, Ditmir Bushati. Takimi po zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Jashtme dhe me pas të dy ministrat pritet të dalin në një konferencë për shtyp.

Ndërkohë sipas njoftimit të Ministrisë greke të Punëve të Jashtme, zyrtari i lartë grek do të pritet nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, më pas do të ketë takime me kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin, Ilir Meta dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai do të takojë edhe kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe atë të PBDNJ, Vangjel Dule. Venizelos do të vizitojë gjithashtu edhe selinë e Kishës Ortodokse, ku do të takojë Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Vizita e Venizelos në Shqipëri zhvillohet disa ditë para asaj të Presidentit grek, Karolos Papulias, i cili do të mbërrijë në Tiranë më 4 dhe 5 nëntor. Vizita bëhet edhe në kuadrin e Presidencës së BE-së, që Greqia do ta marrë në janar të vitit 2014. Sipas medias greke, në takime do të trajtohen çështje dypalëshe si procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Ujërave detare, etj.