Duke u ndalur tek kjo çështje, ndër më të rëndësishmet e zhvillimeve aktuale të politikës, sikurse është edhe komisioni i reformës administrative-territoriale, i cili që nga ngritja e tij ka zhvilluar vetëm një mbledhje të konstituimit dhe ka mbetur i bllokuar për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës, Vasili tha se nuk do rreshtet së insistuari për të gjetur të gjitha rrugët e mirëkuptimit në mënyrë që opozita të jetë pjesë e këtij komisioni.
“Ndonëse duhet thënë që të gjitha mekanizmat që e sigurojnë barazinë dhe prezencën e plotë të saj janë të garantuara në komision, për shkak të përfaqësimit tërësisht të barabartë të marrjes së vendimeve me shumicë absolute, që nënkupton pamundësinë e marrjes së çdo vendimi pa prezencën e opozitës”, u shpreh kreu i Grupit Kuvendor të LSI-së.
Vasili vlerësoi të rëndësishëm në këtë proçes çdo reflektim pozitiv të partive opozitare, ku një prej tyre, PDIU, sipas tij, është një kontribut në të mirë të reformës administrative dhe të këtij hapi politik shumë të rëndësishëm, në të mirë të shqiptarëve.
Lidhur me atë se sa do të jetë pritja që anëtarët e opozitës të bëhen pjesë e komisionit të ngritur për reformën administrative, Vasili sqaroi se pas mbledhjes së parë të tij, parametrat kohorë të funksionimit të këtij komisioni mundësojnë dhe lejojnë kohën edhe për reflektimet e duhura të opozitës.
“Unë nuk mendoj që PD-ja do të veprojë kundër interesave të shqiptarëve, pse jo edhe kundër interesave të vetes së saj. Çështja e qëndrimit ndaj reformës administrative-territoriale është një çështje afatgjatë e fondamentale dhe nuk besoj që mund të ekzistojë një papërgjegjshmëri e tillë që të ngatërrojë këtë çështje të madhe që do të jetojë për shumë vite në vazhdim dhe është në interesin e 3 milionë shqiptarëve, të majtë dhe të djathtë, me atë që është veprimi politik i ditës”, u shpreh Vasili.
Në përgjigje të asaj që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar më herët se fundi i këtij sesioni do të shënojë edhe miratimin e reformës administrative-territoriale, për të shkuar më pas në vjeshtë me reforma të tjera, Vasili sqaroi se ”komisioni do të trajtojë nga pikëpamja e legjislacionit dhe të vështrimit politik çështjen, ndërkohë që ka një staf të madh teknik ekspertësh, të cilët punojnë dhe përgatisin atë që do ta konsideroja lëndën e parë të punës dhe vendimet që komisioni merr janë vendime të karakterit politik dhe për të cilat, në kushtet e dakordësisë së plotë, sepse të gjithë jemi dakord për këtë reformë, janë më të lehta dhe më të shpejta për t’u marrë”.
Por çështja, sipas tij, shtrohet nëse ka vullnet apo jo. “Vullneti ekziston për këtë reformë. Edhe opozita, e cila nuk merr pjese fizikisht, ka shprehur qartë vullnetin që ajo është për një reformë të tillë. Ndaj nuk kemi asnjë premisë objektive që na shtyn të besojmë që kjo është e pamundur të realizohet”, tha kreu i Grupit Kuvendor të LSI-së.
E rëndësishme, për Vasilin është që të gjitha energjitë të vihen në shërbim që ky komision apo ky mekanizëm legjislativ të funksionojë sa më plotë, në të mirë të të gjithëve, sepse do të ndërtohet një e mirë e një shteti më funksionues, më modern në të mirë të të gjithë shqiptarëve, të majtë dhe të djathtë.
Sipas Vasilit, nuk ka arsye që në zgjedhjet e ardhshme vendore të mos shkohet me një ndarje të re administrative-territoriale, për të mos përsëritur të njëjtat negativitete, sikurse ka ndodhur në zgjedhjet e mëparëshme.