Përfaqësuesi i biznesit fason Flamur Hoxha thotë se “që prej 2008-ës dhe deri tani jugu i vendit ka qenë keq me lidhjen e kontratave të reja, pothuajse të gjitha ndërmarrjet që kishin marrëdhënie me tregtarë grekë u mbyllën…” Ndodhemi në një ndërmarrje shqiptare e cila prodhon veshje, destinacioni i tyre tashmë ka për synim Francën, Gjermaninë, por edhe Kinën e largët. Teknologjia e informacionit, ka zbehur ndikimin e afërsisë gjeografike që dikur na mbante të lidhur me Italinë dhe Greqinë.
Siç e pranojnë edhe vetë bizneset që merren me eksport, tashmë mundësitë e promovimit përmes internetit po afrojnë në Shqipëri sipërmarrës nga e gjithë harta e botës, të cilët nuk kishin shkelur më parë këtu. “Na kanë parë në faqen e internetit dhe kanë zbritur në terren për të na kërkuar, nuk jemi si më parë që kishim vetëm disa telefonata dhe asgjë konkrete. Është një treg global ….” Sipas të dhënave të INSTAT-it, tashmë Shqipëria ka shkëmbimet më të mëdha tregtare me Italinë, Turqinë dhe Kinën, duke lënë shtetin grek në vendin e katërt.