Në një deklaratë të publikuar në faqen e Avokatit të Popullit, Igli Totozani, i rikujton Qeverisë Shqiptare detyrimet e saj që rrjedhin nga kuadri ligjor ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, ratifikuar nga Shqipëria në 1991, si dhe objektivat e marra përsipër në kuadër të Dekadës së Përfshirjes së Romëve 2005-2015 dhe Plani Kombëtar i Veprimit për përfshirjen e minoritetit Rom në vend.
Duke dënuar dhunën e ushtruar dhe dëbimin me forcë të familjeve Rome në zonën e ish-Dekorit (Rruga e Kavajës), veprime të cilat kanë qenë në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të fushës, Totozani thekson se “biem dakort që të punojnë së bashku për të mbështetur ngritjen e një grupi pune për mbrojtjen dhe zhvillimin e minoritetit Rom në Shqipëri, në bashkëpunim me të gjitha organizatat Rome në Shqipëri”.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Projekti: “Praktikat më të Mira për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor”, financuar nga BE, zbatuar nga OSBE/ODIHR, mbështesin deklaratën dhe përgëzojnë Avokatin e Popullit që i ka prirë kësaj çështjeje në interesin e qytetarëve të Shqipërisë dhe të mirëqeverisjes.