Tiranë, protestë kundër devijimit të lumit Radika

61

lumi RadikaNjë tjetër protestë është zhvilluar sot kundër devijimit të rrjedhës së lumit Radika për ndërtimin e hidrocentralit në “Fushën e Lukovës” në rajonin Dibër-Mavrovë.

Aleanca kundër devijimit të lumenjve e mbështetur nga organizata të tjera joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit kanë mbajtur një protestë në Tiranë kundër devijimit të asnjë cm3 ujë të lumit nga shtrati natyror.

Ata kanë kërkuar nga Parlamenti shqiptar dhe qeveria të reagojnë ndaj veprimeve të qeverive greke e maqedonase, për devijimin e rrjedhës së lumit Radika.

Protestat u nxitën pas deklaratës më të fundit të zëdhënësit të qeverisë Maqedonase, i cili u shpreh se pavarësisht reagimeve, qeveria e Maqedonisë është e vendosur t’i shkojë deri në fund projektit, për ndërtimin e hidrocentralit të Fushë Lukovës.

Protestë kundër këtij projekti është mbajtur edhe në New York nga shoqata atdhetare “Dibra”, e cila i ka dërguar një letër selisë së OKB-së dhe qeverisë amerikane, duke argumentuar dhe dëmet që sjell zbatimi i këtij projekti, jo vetëm në devijimin e ujërave, por dhe në aspektin ekologjik. Një letër zyrtare i është dërguar dhe qeverisë shqiptare, që të mos e firmosë projektin e përbashkët me palën maqedonase.