Thaçi optimist për liberalizimin e vizave

56

ThaçiHashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës, është shprehur optimist për realizimin e objektivave, në lidhje me liberalizimin e vizave.

Gjatë takimit që ka zhvilluar me Komitetin Drejtues për Liberalizimin e Vizave, në Prishtinë, Thaçi ka deklaruar se, zyrtarët e dikastereve kanë treguar përkushtim dhe angazhim në zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave.

“Vlerësimet tona të brendshme, por edhe ato që i marrim nga organizatat ndërkombëtare, vlerësojnë lart progresin që është arritur në fushën e riatdhesimit, riintegrimit, sigurisë së dokumenteve e kështu me radhë. Pra në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave kemi shënuar një progres të konsiderueshëm”,- ka thënë ai.

Ky progres, sipas tij,  është vlerësuar edhe nga misioni faktmbledhës i ekspertëve të Bashkimit  Evropian, të cilët kanë qëndruar në Kosovë gjatë javës së parë të dhjetorit dhe të cilët tashmë janë duke hartuar raportin e misionit faktmbledhës, i cili do t’i jepet qeverisë sa më shpejt të jetë e mundur.

Por, Kryeministri Thaçi duket i pakënaqur me Misionin Faktmbledhës të BE-së, pasi kërkon më shumë ndërveprim midis Brukselit dhe Prishtinës. Më konkretisht Thaçi kërkon ngjeshje të agjendës në lidhje me liberalizimin e vizave, raportime më të shpeshta dhe shqyrtim të situatës me një ritëm më të lartë.

“Sado që jemi mirënjohës për misionin e fundit faktmbledhës  të dhjetorit, po aq jemi të dëshpëruar që ky mision erdhi në Kosovë gati 14 muaj pas misionit të fundit faktmbledhës, pra me një tempo të tillë, të ngadalshme, kemi shqetësime reale, që ky proces kaq i rëndësishëm për vendin dhe qytetarin tonë do të vonohet edhe më shumë dhe kjo jo për shkak të mospërmbushjes së kritereve, por për shkak të vonesave procedurale dhe burokratike”, ka theksuar Thaçi.

Kryeministri ka kërkuar që të jepet më shumë në këtë kuadër:  “Dua rezultate konkrete, të prekshme për të gjithë, të gjithë duhet ta ndiejnë dorën e institucioneve të Republikës së Kosovës, pasi që kornizën ligjore dhe strategjike tashmë e kemi mjaft të avancuar, e për më tepër edhe stafin e kemi të kualifikuar dhe mjetet financiare u janë siguruar për të kryer punën që secilit i takon”.