Thaçi: Idealet perëndimore frymëzojnë arritjen e paqes në Ballkan

45

13.6.2013_-_KM_Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka botuar në gazetën e Kongresit Amerikan ‘The Hill’ shkrimin me titull ‘Idealet perëndimore frymëzojnë arritjen e paqes në Ballkan’. Shkrimi konstaton qartë perspektivën europiane perëndimore, si edhe synimin drejt një fqinjësie të mirë dhe bashkëpunuese. Më poshtë do të gjeni shkrimin e plotë në ‘The Hill’:

Kur nënpresidenti Biden iu drejtua Parlamentit të  Bashkimit Evropian më 06 maj 2010, ai lavdëroi BE-në për ndërtimin e asaj që “duhet të jetë dukur si një fantazi” pas Luftës së Dytë Botërore: “një Evropë paqësore dhe e bashkuar”.

Për më tepër, Nënpresidenti vazhdoi, BE-ja ka krijuar një “komunitet të përkushtuar për mendimin e lirë, lëvizjen e lirë, dhe sipërmarrjen e lirë”. Një Evropë të cilën një historian e kishte  quajtur më shumë një ide sesa një vend”.

Kur të takoj sot më vonë zotin Biden, unë do të sjell lajme të mira në lidhje me atë se si një nga rajonet më të trazuara tradicionalisht të Evropës – Ballkani – është duke bërë paqe dhe duke avancuar idealet perëndimore. Avantazhet e përafrimit me komunitetin botëror të demokracive të tregut të lirë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, janë duke inkurajuar kombet e Evropës Juglindore për t’u pajtuar me njëri-tjetrin dhe të reformojnë vetveten.

Gjatë udhëtimit tim në SHBA, unë do të raportoj se një konflikt që nuk mund të zgjidhej për më shumë se një shekull është afër përfundimit paqësor. Me ndërmjetësimin e palodhshëm të shefes së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe  Siguri, Catherine Ashton, dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, unë dhe  kryeministri serb Ivica Daçiç, para pak kohësh kemi nënshkruar marrëveshjen e parë të arritur ndonjëherë ndërmjet dy vendeve tona.

Duke arritur këtë mirëkuptim historik, ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për ta zbatuar atë. Në takimin e mbajtur në Bruksel më 21 dhe 22 maj, me baroneshën Ashton nga BE-ja duke shërbyer si ndërmjetëse, unë dhe  kryeministri Daçiq diskutuam hapat specifik për të vënë marrëveshjen në fuqi. Si rezultat, ne kemi rënë dakord dhe kemi nënshkruar Planin e Implementimit, i cili tani është miratuar formalisht nga të dyja qeveritë.

Kuvendi i Kosovës ka votuar me shumicë dërmuese në mbështetje të marrëveshjes dhe Qeveria e Kosovës kërkon nga homologët tanë serbë që të vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen si dhe të  punojnë në procesin e implementimit.

Në një dispozitë të rëndësishme, marrëveshja jonë siguron të drejta shtesë dhe gjithëpërfshirëse për pjesën veriore të Kosovës me shumicë etnike serbe. Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje të mëdha  të integrojë serbët të cilët jetojnë në pjesën veriore në institucionet dhe shoqërinë  e Kosovës, duke krijuar  komuna me shumicë serbe që garantojnë të drejtat politike, ekonomike dhe socio-kulturore.

Kjo përpjekje nuk ka të bëjë vetëm me zbatimin e marrëveshjes sonë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me atë që ne sigurojmë se vendi ynë është një demokraci e larmishme. Ne duam të sigurohemi që komuniteti serb, kultura e tyre dhe institucionet e tyre fetare, duke përfshirë kishat dhe manastiret, respektohen dhe mbrohen. Duke bërë këtë, ne jemi duke demonstruar se ne mund të jemi një vend demokratik, multietnik, multikulturor dhe multi-fetar.

Në këtë frymë, gjatë javës së tretë në muajin maj, Kosova ka mbajtur një seri ngjarjesh që promovojnë pajtimin, tolerancën dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet bashkësive tona fetare, duke përfshirë shumicën myslimane, pakicën ortodokse serbe, katolikët, protestantët dhe hebrenjtë. Më 23 maj, memoriali për viktimat e Holokaustit u përurua në vendin e sinagogës së fundit të mbijetuar në kryeqytetin tonë, në Kosovë.

Promovimi i diversitetit është pjesë e asaj që do të thotë të jesh anëtar i familjes evropiane të demokracive të tregut të lirë. Ne jemi duke përqafuar vizionin evropian të të drejtave të barabarta dhe respektit të ndërsjellë, i shprehur jo vetëm në dokumentet historike në letër, por edhe në praktikë.

Për Kosovën dhe Serbinë, perspektiva e pjesëmarrjes së plotë në BE është  nxitje dhe  frymëzim për përpjekjet tona që të arrijmë pajtimin dhe reformat. Marrëveshja jonë nënvizon se as Serbia e as Kosova nuk do të pengojnë – ose inkurajojnë të tjerët të pengojnë – progresin e njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.

Kjo ndihmë reciproke nga ish-kundërshtarët është duke inkurajuar BE-në të lëvizë përpara me bisedimet rreth anëtarësimit me të dy vendet  tona. Në të vërtetë, Komisioni Evropian i ka kërkuar BE-së të caktojë datën për negociata me Serbinë për anëtarësim, ndërsa gjithashtu ka rekomanduar hapjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit – një hap kyç drejt anëtarësimit. Nëpërmjet tregtisë së lirë me BE-në, si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Kosova mund të rrisë eksportet e saj për në 27 vendet anëtare, duke ndihmuar në këtë mënyrë gjenerimin e vendeve të punës dhe ndërtimin e bizneseve në vendin tonë.

Me mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia mund të dëshmojnë se ka mbaruar koha e armiqësive të vjetra edhe për rajonet e tjera të trazuara dhe se është më mirë të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët për paqe dhe prosperitetit, në vend se të lejojmë që  të acarohen  përgjithmonë urrejtjet arkaike. Shembulli ynë mund të shërbejë si frymëzim për një botë të lodhur nga lufta.

Hashim Thaçi,
Kryeministër i Kosovës