Në mbështetje të rekomandimit të Komisionit, kreu i legjislativit europian u shpreh se vendet anëtare që bllokojnë Unionin duhet të përgjigjen. Përtej statusit, sipas tij, me Tiranën duhen nisur negociatat e anëtarësimit.
“Siç e dini Komisioni Europian prezanton raportin në bazë të analizës për situatën politike dhe ekonomike në vend. Qëndrimi im është se ne duhet të japim datën për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë sa më shpejtë. Do të ishte mirë që vendet anëtare të përgjigjeshin kur ata e bllokojnë Unionin”, deklaroi Schulz.
Këshilli i BE-së nuk mori në konsideratë rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, në të cilën u bëhej thirrje vendeve anëtare për t’i dhënë pa vonesë Shqipërisë statusin kandidat. Një ditë më parë ishte kreu i delegacionit për Ballkanin në PE, Eduard Kukan, që tha se shtyrja e statusit nuk ishte e drejtë, sepse ai do të thotë thjesht inkurajim për forcat politike në vend, pa asnjë implikim të mëtejshëm konkret në procesin e integrimit. /TCH/