E premtja është një ditë zgjedhjesh në Akademinë e Shkencave. Ditën e sotme janë 44 akademikë që do të votojnë për 4 vende vakante në këtë institucion, ku më i rëndësishmi është posti i kreut të Akademisë.
Skënder Gjinushi është kandidati i vetëm për kreun e këtij institucioni. Në prezantimin e platformës së tij, ai tha se Akademia është partner i qeverisë dhe shoqërisë për ngritjen e standardeve.
“Akademia do të nxisë reformimin e shkencës. Do të çojmë deri në fund reformën e Akademisë dhe kërkimit shkencor. Do përfshihen individë të suksesshëm që punojnë në qendra kërkimore jashtë vendit”, ka thënë Gjinushi.
Gjinushi tha se për herë të parë ligji parashikon krijimin e Akademisë së të rinjve dhe rikthimin e akademikëve mbi 75 vjeç.
Mësohet se Ismail Kadare ka votuar me postë për zgjedhjet e Akademisë.
Secili vend vakant ka nga një kandidat:
1-Skënder Gjinushi, në garë për kreun e Akademisë së Shkencave
2-Vasil Tole, kandidat për zv/kryetar të Akademisë
3-Salvador Bushati, kandidat për sekretar
4-Neki Frashëri, kandidat për kryetar seksioni të Shkencave të Natyrës



