Sot Shqipëri-Norvegji, masa të rrepta nga policia

54

Kombetarja-para-miqesores-me-LituanineNdeshja Shqipëri-Norvegji, e vlefshme për kualifikueset e Kampionati Botëror “Brazil 2014”, është më shumë se elektrizuese pasi të gjithë kanë nisur të besojnë gjithnjë e më shumë për një kualifikim të mundshëm të kombëtares sonë, që drejtohet nga italiani Xhani De Biazi, në Botërorin e Brazilit, që do të ishte jo vetëm një rezultat historik, por, mbi të gjitha, edhe një dalje për herë të parë në finalet e tilla.

Bashkia e Tiranës, dhe mbi të gjitha drejtoria e Sportit dhe e Rinisë në kryeqytet, ka gjetur mënyrën për të përmbushur të gjitha kërkesat e tifozëve. Tashmë bëhet fjalë për të gjithë ato që nuk kanë mundësi të jenë në stadium, por që duhet ta mbajnë gjallë atmosferën në kryeqytet në atë ndeshje shumë të rëndësishme për kuqezinjtë, për sa i përket objektivave të skuadrës sonë për në Botërorin e Brazilit.

Dy ekrane të mëdhenj do të vendosen në pikat më të rëndësishme të kryeqytetit; një te Pedonalja, e një te sheshi “Nënë Tereza”. Dhe e gjithë ideja është që ata që janë në stadium, në përfundim të ndeshjes, gjithnjë nëse do të fitohet, apo do të barazohet, të bashkohen me ata jashtë për ta ndezur flakë të gjithë Tiranën. Pse jo si më 2004-ën, kur Shqipëria e Brigelit mundi 2-1 Greqinë e sapo shpallur Kampione e Evropës.

Zhvillimi i ndeshjes së rëndësishme mes Shqipërisë dhe Norvegjisë në ndërkombëtarin “Qemal Stafa”, në orën 20:30 si dhe fakti se atë do ta përcjellin nga stadiumi persinalitete të politikës shqiptare, mes të cilëve edhe kryeministri Berisha, ka angazhuar maksimalisht policinë e kryeqytetit.

Uniformat blu të kryeqytetit kanë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes.

Në një njoftim të saj policia thekson se gjatë hyrjes së tifozëve në stadium do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në impiantin sportiv në fjalë të sendeve të ndaluara si: mjete e sende të forta, fishëkzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj.

Gjithashtu policia gjatë mesditës do të bllokojë edhe disa segmente rrugore që të çojnë për në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.

Kështu duke filluar nga ora 14:00 deri më 24:00 do të bllokohen rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Perlat Rexhepi”, si dhe te Sheshi “Nënë Tereza” deri tek Presidenca.