Situata në Turqi, PE kalon Rezolutën

72

turkey-violenceDeputetët në Parlamentin Europian kanë kaluar për votim një Rezolutë, në lidhje me situatat e fundit në Turqi. Eurodeputetët janë shprehur të shqetësuar, për sa i përket dhunës disproporcionale të përdorur kundër protestuesve legjitimë dhe paqësorë. Ato kanë paralajmëruar Turqinë, ndaj përdorimit të dhunës së tepruar të forcave policore, kundër protestuesve, duke i bërë thirrje Kryeministrit turk Erdogan, për gjetjen e një pozicioni unifikues dhe pajtues. 

Eurodeputetët kanë deklaruar se, përgjegjësit e dhunës policore duhet të sillen përpara drejtësisë, protestuesit e burgosur të lirohen menjëherë dhe viktimat të kompensohen. Ndonëse përgjigja e moderuar e Presidentit turk Abdullah Gül, si edhe ndjesa e Zv. Krryeministrit turk Bulent Aric, janë mirëpritur, eurodeputetët dënojnë mungesën e vullnetit të qeverisë turke dhe të Kryeministrit Erdogan, për të ndërmarrë hapa për gjetjen e gjuhës së përbashkët, kërkimin e ndjesës dhe kuptimin e reagimeve të segmenteve të popullatës turke. 

Deputetët në PE kanë theksuar gjithashtu, se protestuesit po ndjejnë gjithnjë e më shumë se zëri i pakicës nuk përfaqësohet, duke nënvizuar se në një demokraci përfshirëse dhe pluraliste, shumica ka përgjegjësinë të përfshijë opozitën dhe shoqërinë civile në një proces vendim-marrje.

Eurodeputetët kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me përkeqësimin e lirisë së shtypit, me përfshirjen e akteve të censurës dhe rritjen e akteve të vetë censurimit në median turke. Ato vërejnë se, mediat kryesore turke po heshtin në lidhje me demonstratat dhe përdoruesit e Twitter-it, janë arrestuar. Ato kanë nënvizuar rëndësinë e një shtypi të pavarur për një shoqëri demokratike dhe rolin e sistemit gjyqësor në rritjen e lirisë së shtypit, duke cituar numrin e lartë të gazetarëve që gjenden në burg dhe në procese gjykimi.

Kryeministri turk ka reaguar, duke mos e pranuar këtë Rezolutë. Erdogan ka deklaruar se, ato që votuan këtë Rezolutë duhet të shikojne fillimisht, se çfarë po ndodh në Greqi. Turqia nuk është shtet anëtar i BE-së, por vetëm një vend kandidat. Reagimi i fundit i Erdogan, ka qenë në të njëjtin nivel refuzimi dhe mospranimi të situatës, edhe ndaj deklaratave të mëparshme të kryera në nivel europian.