Sigurohen të huajt në Jemen

60

Departamenti Amerikan i Shtetit urdhëroi evakuimin e personelit jo të domosdoshëm nga ambasada në Jemen për shkak të kërcënimeve për një  sulm të mundshëm terrorist.

Departamenti i Shtetit po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të cilët kanë vendosur të qëndrojnë në Jemen që të kufizojnë lëvizjet e tyre.

Edhe Britania ka evakuuar të gjithë personelin nga ambasada e saj në Jemen. Ndërkohë, 19 ambasada dhe konsullata të tjera amerikane në Lindjen e Mesme dhe Afrikë do të qëndrojnë të mbyllura gjatë gjithë kësaj jave.

Perëndimorët që jetojnë në Jemen janë duke marrë masa shtesë të sigurisë në prag të paralajmërimeve amerikane dhe britanike rreth kërcënimeve të mundshme për sulme terroriste dhe mbylljen e ambasadave të huaja.

Nga zyra e tij në Jemen, një zyrtar i një organizate humanitare me bazë në Shtetet e Bashkuara thotë se nuk ka plane të menjëhershme për tu larguar nga Jemeni, por është duke i marrë me seriozitet paralajmërimet.

“Ne qëndrojmë vetëm në shtëpi, larg syve të publikut dhe larg vendeve publike” ka theksuar ai

Ai gjithashtu shprehet se edhe nëse nuk do të kishte paralajmërime për sulme të mundshme terroriste, zyra e tij do të ishte e mbyllur gjatë ditëve të ardhshme për shkak të festës myslimane të Bajramit të Madh, e cila shënon fundin e Ramazanit.

Sipas tij, pavarësisht paralajmërimeve për sulme të mundshme terroriste, jeta në rrugët e qytetit Sana duket normale.

“Ne nuk duhet të ndikohemi nga ajo që shohim . Kërcënimi është i pranishëm dhe unë mendoj se marrja e masave të sigurisë është e arsyeshme si dhe lëshimi i paralajmërimeve. Mendoj se ne duhet jemi të kujdesshëm dhe duhet ta analizojmë situatën” thekson ai.

Ndërkohë, Jemeni ka dislokuar qindra automjete të blinduara ushtarake për të siguruar pallatin presidencial, ndërtesat jetike dhe ambasadat perëndimore në kryeqytet.