Shqiptarët e Belgjikës, meshë për Shën Terezën në Banneux

105

Çfarë mund të bëni për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde. Këto fjalë lapidare të Nënë Terezës, janë fjalë besimi, drite drejt së mirës, së drejtës, hyjnores.
Të dielën e kaluar me rastin e 2 vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, në Shenjtëroren e Zonjës së të Varfërve, në Banneux (Belgjikë) u organizua një ceremoni lutjesh e festimi. Bashkësia Katolike Shqiptare në Belgjikë kishte organizuar në detaj këtë event. Në të merrnin pjesë drejtues të Bashkësisë Katolike në Bruksel, Ambasadori i Kosovës në Belgjikë Bernard Nikaj, si dhe përfaqësues të klerit katolik shqiptar.
Funksionarët dhe përfaqësuesit e lartë të klerit katolik shqiptar, të pranishëm në meshën e jashtëzakonshme kishin udhëtuar nga të gjitha trojet etnike shqiptare, duke u bërë njëkohësisht edhe ‘ambasadorë’ realë të paqes dhe fjalës së mirë, dy prej cilësive të spikatura të Nënën Terezës. Kështu, nga emrat e pranishëm ishte Zef Gashi, ipeshkv i Tivarit, ish-ipeshkv i Kosovës etj.
Po kështu organizatorët e meshës kishin menduar mirë përsa i përket ceremonisë duke kuruar mjaft detaje të vogla, të cilat lanë mbresa të pashlyera në sytë e pjesëmarrësve. Kori i kishës, përbëhej nga disa vajza të vogla të veshura me kostume kombëtare, të gjitha fëmijë të komunitetit shqiptar të Belgjikës, të cilat flisnin mjaft bukur dhe rrjedhshëm shqipen. Kjo u spikat kryesisht gjatë recitimeve.
Komuniteti shqiptar i Beneluxit ishte i mirpërfaqësuar, pa ndasi religjioze, çka do të thotë që të pranishëm ishin jo vetëm ata shqiptarë që i përkasin besimit katolik, por edhe bektashinj, muslimanë dhe orthodoks.
Procesioni u bë në tre ndalesat e zonjës. Në fund të meshës shqiptarët vazhduan festimin me muzikë popullore dhe biseda deri vonë.