Shqiptarët e Amerikës protestë para OKB: Mos prekni lumin Radika

55

PROTESTA-444x592Dhjetëra shqiptarë protestuan para selisë së OKB-së kundër planit të Qeverisë së Maqedonisë për ndryshimin e rrjedhës së lumit të Radikës në Dibër.

Protesta u organizua nga shoqata atdhetare “Dibra” e cila bëri thirrje kundër këtij plani strategjik sllav që ndryshon rrjedhën e lumit Radika, i cili do të derdhej në lumin Vardar dhe më pas në detin Egje, dhe kështu do t`i ndryshohej rrjedha natyrore drejt perëndimit.
Protestuesit firmosën edhe Peticionin që do t`i dorëzohet në mënyrë zyrtare të hënën sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe zyrës së OKB-së për ujërat (UN Water).

Peticioni, është kundër projektit të hidrocentralit “Fusha e Lukovës”, që parashikon ndryshimin e rrjedhës së lumit Radika, duke i`u shmangur rrjedhjes së tij natyrore nëpër Dibër.

Një kopje e këtij peticioni, sqaroi organizatori i kësaj proteste, është paraparë t’i drejtohet edhe Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ambasadores amerikane Susan E. Rice në OKB, administratës së Presidentit Obama, si dhe ambasadave të shteteve të mëdha në Kombet e Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë,etj.

Protesta u udhëhoq nga anëtarët e Komisionit organizues Din Radoveshi, Ylber Pilku, Haxhi Maqellara dhe kryetari Musa Paçuku. Protesta u përshëndet me një telegram edhe nga kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata dhe këshilltarët komunal.

“Stop ndryshimit të rrjedhës së lumit Radika. Nuk do të lejohet një plan i paligjshëm i Qeverisë së Maqedonisë në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare të ujrave dhe rezolutën 63/124 të OKB-së. Ne me protestat tona por edhe me reagimet tona nuk do të lejojmë që edhe pushtetarët tanë, që për shkak të ‘kolltukut’ të bëhen palë me qeveritaret maqedonas. Ne do të përkrahim dhe mbështesim pushtetarët dhe politikanët shqiptar, vetëm atëherë, kur at atë jenë njësh me popullin e tyre, të punojnë dhe dëgjojnë popullin e tyre, i cili u ka besuar dhe u ka dhënë votën” tha kryetari i këshillit organizues të protestës, Musa Paçuku.

Sipas tij, Qeveria e Shkupit në raport me shqiptarët, sidomos me ata të Dibrës së Madhe nuk ngjason me ate të ish-Jugosllavisë.

“Shkupi, tha ai nuk i pyet fare, për shqiptarët dhe për Dibrën, ashtu si vepronte edhe nën ish”Jugosllavinë” që u shkërmoq dhe nuk ekziston më, kur shqiptarët ishin qytetar të dorës së dytë apo të tretë…apo ku di unë si na konsideronin ata atëherë, dhe këta e sot!”, theksoi Paçuku, duke shtuar se Dibra sot po falimenton dhe është lënë krejtësisht e marxhinalizuar.

Ai tha se shqiptarët e Maqedonisë që jetojnë në SHBA shprehin për çdo ditë shqetësimet e tyre për gjendjen e rënduar të shqiptarëve në Maqedoni dhe politikave të verbra nacionaliste të kryeministrit Nikolla Gruevski.

“Fatkeqësisht mund t’ju them se ky vend që pretendon te jetë shtet dhe t’i bashkëngjitet BE, dhe NATO-s, ende ka mbetur pa emër dhe po thirret IRJM, dhe kjo a e dini pse?, falë atij nacionalizmit të sëmurë të Shkupit, dhe sidomos të Kryeministrit ultranacionalist Nikolla Gruevskit, që shpenzon qindra milionë dollar nga parat e popullit të vet, për të mbushur Shkupin me statujat e nacionalizmit maqedonas dhe të Car Dushanit”, theksoi kryetari i këshillit organizator.

Protesta u mbështet edhe nga shoqata panshqiptare “Vatra”, ku kryetari i saj theksoi se të gjithë shqiptarët përkrahin Dibrën, si një vatër strategjike e kulturës, tregtisë dhe zhvillimit kombëtar.

“Le të bashkohemi të gjithë shqiptarët e Amerikës, duke i bërë thirrje Qeverisë së Maqedonisë për të braktisur planin e saj që do të ketë implikime të padëshiruara të brendshme dhe ndërkombëtare”, theksoi Gjon Buçaj.

Një solidarizim të fuqishëm me dibranët shprehu në fjalën e tij, edhe kryetari i Akademisë Shqiptaro Amerikane te Shkencave Prof.dr. Skender Kodra, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, Martin Shkreli, Shoqata “Çamëria” si dhe shoqata dhe personalitete tjera shqiptare.