Shqipëria do drejtojë OSBE në 2020-ën

63

Shqipëria merr mbështetjen unanime të vendeve anëtare të OSBE-së për kandidaturën e saj për të drejtuar këtë organizatë të rëndësishme në vitin 2020. Vendimi u zyrtarizua gjatë Takimit të 25-të të Këshillit Ministror të OSBE-së në Milano.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili mori pjesë në punimet e këtij takimi, tha se kjo është fitorja më e madhe e politikës së jashtme në kuadër të bashkëpunimit multilateral, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Tanimë Shqipëria hyn në një fazë vendimtare, në fazën e kontributit për arkitekturën e sigurisë evropiane, duke qenë në drejtim të kësaj organizate. Kryesia shqiptare e OSBE-së si një vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor vjen pas katër kryesive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Hapësira e OSBE-së shtrihet nga Vankuveri në Vladivostok, e për pasojë do të testohen jo vetëm kapacitetet politike dhe diplomatike të vendit tonë gjatë ushtrimit të përgjegjësive në Trojkë dhe në drejtimin e OSBE-së, por njëkohësisht dhe aftësitë tona për të ndërvepruar me të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate të madhe, me vendet partnere, me institucionet autonome që veprojnë brenda arkitekturës institucionale të OSBE-së, të cilat në një mënyrë a një tjetër kanë një impakt pozitiv në këtë hapësirë”, u shpreh ministri Bushati.

Bushati tha se angazhimet e Shqipërisë do të fillojnë kryesisht në Ballkan, duke ushtruar përgjegjësi si vend pjesëtar i Trojkës:

“Ky është një vendim i madh për Shqipërinë, është një fitore për politikën tonë të jashtme, për kursin tonë konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, në Mesdhe”.

Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm Shqipëria do të bëhet pjesë e Trojkës së kryesisë së OSBE-së, bashkë me Sllovakinë, e cila merr kryesinë në vitin 2019 dhe Italinë, që po mbyll kryesinë e saj. Në këtë kuadër, Bushati shprehu angazhimin e vendit në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në atë të OSBE-së në tërësi.