Shpërthim eksplozivi në Shkodër

18

foto ilustrueseGjatë natës së sotme janë vendosur dy sasi të ndryshme eksplozivi. Njëra sasi është vendosur në urën, që shërben si kanal për dërgimin e ujit në Hidrocentralin e fshatit Nderlysaj, Komuna Shalë, dhe sasia tjetër e eksplozivit është vendosur në segmentin rrugor Theth-Shkodër, pikërisht në një urë në hyrje të fshatit Theth.

Si pasojë e shpërthimit të eksplozivit janë lënë pa energji elektrike Komuna Shalë, Shosh dhe Pult.

Ndërsa shpërthimi tjetër në urën e fshatit Theth, ka bllokuar lëvizjen dhe qarkullimin e mjeteve dhe personave.

NJOFTIMI I POLICISE
Sot me datë  22.06.2013, rreth orës 07.00, është marrë informacion se gjatë natës, ka pasur dy shpërthime, ku persona ende të paidentifikuar  kanë vendosur lëndë plasëse në një urë që shërben si kanal për dërgimin e ujit në Hidrocentralin në fshatin Nderlysaj, Komuna Shalë, si dhe është vendosur eksploziv në segmentin rrugor Theth-Shkodër, pikërisht në një urë  në hyrje të fshatit Theth.

Menjëherë nga ana jonë janë marrë masat e duhura për dy rastet e lartpërmendura dhe në vendngjarje janë dërguar shërbimet policore dhe grupin hetimor, të cilët po kryejnë veprimet e duhura hetimore  e proceduriale. Paraprakisht mësohet se si pasojë e shpërthimit në Hidrocentralin e  fshatit Nderlysaj,  është dëmtuar rreth 1 meter ura mbajtëse e kanalit të ujit dhe aktualisht është jashtë funksioni ky Hidrocentral duke lënë pa energji Komunën Shalë, Shosh dhe Pult. Ndërsa nga shpërthimi në urën e fshatit Theth, është dëmtuar një pjesë e kësaj ure, duke penguar përkohësisht qarkullimin. Dëmtime në njerëz nuk ka.

Nga Drejtoria e Policisë Qarkut Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punohet intensivisht për zbardhjen e këtyre dy ngjarjeve, identifikimin dhe kapjen e autorit-ve.

Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, nga ana jonë, është marrë kontakt me organet përkatëse për riparimin e dëmeve të evidentuara, nga të cilat është premtuar riparimi i tyre në një hark kohor prej 6 orësh.

Materialet proceduriale në lidhje me dy rastet në fjalë, do i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.