Shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit, paguhen 2.7 miliardë lekët e parë

109

Leket_shqiptareMinistria e Financave deri tani ka shlyer 2.7 miliard lekë si detyrim ndaj biznesit. Burime nga Ministria e Financave bënë të ditur se nga fillimi i marsit bizneseve u janë kthyer rreth 2.7 miliardë lekë, nga të cilat mbi 80% kanë qenë fatura të prapambetura TVSH-je. Borxhet e prapambetura të shtetit ndaj sipërmarrjes janë në total rreth 72.6 miliardë lekë ose 5.3% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.

Sipas strategjisë së shlyerjes së borxheve, detyrimet e prapambetura ndaj biznesit do të shlyhen me faza, përgjatë tre viteve, ku 35 miliardë lekë janë parashikuar të paguhen në 2014.

Në fund të muajit shkurt u miratua marrëveshja me FMN-në për një kredi prej 330 milionë eurosh për tre vjet, një pjesë e konsiderueshme e të cilës do shkojë për pagimin e borxheve ndaj biznesit.

Në qershor pritet të merret një tjetër hua nga Banka Botërore dhe Komisioni Europian. Përmes kësaj strategjie, Ministria e Financave pret që të zgjidhë përfundimisht ngërçin e borxheve të prapambetura, duke shlyer detyrimet ekzistuese dhe duke parandaluar krijimin e borxheve të reja. Ndërkohë ka hyrë në fuqi edhe udhëzimi i ri i TVSH-së, që parashikon rimbursim të TVSH në mënyrë automatike brenda 60 ditëve