Vuçiq ka thënë se Serbia po punon që të mbrojë qytetarët e saj dhe se për këtë çështje duhet të bisedojë me Bashkimin Evropian dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, por nuk guxon që vetes t’i shkaktojë probleme në planin ndërkombëtar.
Siç transmeton Beta, Vuçiq ka thënë se është një gjë e mirë që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është në veri të Kosovës dhe që NATO-ja është garantuese, se ato nuk do të dërgohen atje.
“Na duhet të mbrojmë popullin tonë, por pa i shkaktuar kurrfarë problemesh Serbisë në planin ndërkombëtar“, citon telegrafi të ketë thënë Vuçiq në një takim me gazetarë, i pyetur lidhur me marrëveshjen ushtarake të nënshkruar në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Marrëveshja SOFA, e nënshkruar të hënën në Prishtinë në mes Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekut dhe Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, rregullon procedurat e hyrjes-daljes, qëndrimit të përkohshëm dhe statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e shtetit përkatës, si dhe përbërësve civil apo personave në varësi.