Samiti i 31-të, BE-Rusi

15

image-uploadKëshilli i Unionit Europian ka deklaruar, se sot dhe nesër në Rusi, do të zhvillohet Samiti i 31-të, BE-Rusi. Bashkimi Europian dhe Rusia nuk janë vetëm fqinj, por gjithashtu edhe partnerë strategjikë. Ky Samit, dëshmon edhe njëherë rëndësinë, që të dy palët i japin këtij partneriteti strategjik. Pritet që një serë çështjesh të rëndësishme, si rajonale po ashtu edhe ndërkombëtare, të bëhen pjesë e diskutimeve në këtë Samit. BE dhe Rusi do të përfaqësohen me nivelet e tyre diplomatike me të larta.

Sipas planifikimeve paraprake, pritet të zhvillohen diskutime: mbi situatën ekonomike në Rusi dhe në BE; mbi situatën e përgjithshme ekonomike, me një vëmendje të veçantë ndaj takimit të ardhshëm të G20-s, si edhe të Presidencës Ruse të G-20-s; mbi çështjet aktuale që lidhen me Sirinë; mbi marrëdhëniet BE-Rusi, duke përfshirë edhe marrëveshjen e re, midis dy diplomacive përkatëse; mbi partneritetin për modernizim; çështjet që prekin OBT dhe çështjet e tregut; mbi energjinë dhe aviacionin, si edhe mbi çështjet e vizave dhe lëvizshmërisë, duke përfshirë të dhënat e regjistruara mbi emrat e pasagjerëve.

Samiti do të prekë edhe temat, që kanë lidhje me lirinë, sigurinë dhe drejtësinë, duke përfshirë bashkëpunimin gjyqësor, menaxhimin e krizave dhe luftën ndaj terrorizmit. Do të diskutohen gjithashtu edhe çështjet e të Drejtave të Njeriut dhe lirive themelore, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe shoqërinë civile. Një fokus të veçantë për trajtim, do të marrin edhe situatat rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë zhvillimet në Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme, Iranin, Gadishullin Korean, Azinë Qendrore si edhe çështjet e fqinjësisë (Moldavi/ Transnistria dhe Nagorno- Karabakh).

Palët në këtë Samit, do të përfaqësohen nga nivelet e tyre diplomatike më të larta. BE do të përfaqësohet nga Herman Van Rompuy, Presidenti i Këshillit Europian dhe nga José Manuel Barroso, President i Komisionit Europian, Catherine Ashton, Përfaqësuesja e Unionit për punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe Komisioneri për Energjinë, Günther Oettinger. Rusia, do të përfaqësohet nga Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, Ministri i Drejtësisë Alexander Konovalov, Ministri i Energjisë Alexander Novak dhe Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit Andrei Belousov.