“Rrëfehet” autori i masakrës në Durrës: Jam unë autori

61

Odise VERBOFSHIPas arrestimit, autori i vrasjes së dyfishtë në Durrës, dy ditë më parë, ka shprehur pendesë për krimin e kryer. Para grupit hetimor, Odise Verbofshi, pranoi autorësinë e krimit, duke u shprehur se do të rrëfejë ngjarjen në prani të avokatit.

Autori i vrasjes së dy të rinjve është arrestuar teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria, 72 orë pasi kishte kryer masakrën duke vrarë dhe më pas djegur brenda në makinë Albert Kasallën, 34 vjeç dhe Shaban Babasin, 27 vjeç, nga Fushë-Kruja, më 20 shkurt.

Policia thotë se Odise Verbofshi, u arrestua sot në Bilisht, pranë kufirit shqiptar me Greqinë. Sipas policisë, arrestimi i Verbofshit u mundësua pas përgjimeve telefonike. “Erdha në Bilisht nga frika e hakmarrjes. Doja të kaloja kufirin dhe të humbisja gjurmët. Jam penduar për krimin që bëra dhe do ta rrëfej në prani të avokatit”, tha Odise Verbofshi para grupit hetimor.

Policia e Durrësit e ka zbuluar vendndodhjen e Odise Verbofshit përmes përgjimeve telefonike. Ai i kishte kërkuar ndihmë një shoku në telefon, për t’i kërkuar ushqim dhe i ka treguar se ku ndodhej, në një pyll të vogël në rrethinat e Korçës. Policia e ka përgjuar dhe ka lokalizuar vendin dhe më pas ka bërë arrestimin e tij.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se, arrestimi i 32-vjeçarit nga Shkozeti i Durrësit është bërë nga efektivët e Policisë Kufitare, raporton “Shqiptarja.com”.

Policia kishte rënë në gjurmët e autorit kryesor të vrasjes pas mbledhjes së dëshmive nga personat e shoqëruar dhe sidomos të bashkëpunëtorit, Gazep Pili. Ky i fundit është arrestuar për “fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Ndërkohë daja i 20-vjecarit, Gazep Pili ka deklaruar jashtë kamerave se Odisea e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar një bidon me benzinë, pasi sipas tij e kishte lënë makina në rrugë. 20-vjeçarin e kanë regjistruar kamerat e sigurisë teksa mbushte bidonin në një karburant dhe për këtë arsye akuzohet si bashkëpunëtor.

Ngjarja e rëndë ndodhi të premten 20 shkurt 2014, rreth orës 22:00 dhe si shkak ka pasur prishjen e pazareve të drogës mes të rinjve. Që pas ngjarjes makabre, ku trupat e Shaban Babasi, 27 vjeç, dhe Albert Kasalla, 32 vjeç të dy nga Fushë Kruja u gjetën të djegur në zonën e ish-kënetës së Durrësit, pranë ish-vaskave të peshkimit, Policia e Durrësit ka zhvilluar hetime intensive për arrestimin e autorëve të këtij krimi.