Rama, takime pune në Kroaci

52

RAMA---KROACI

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama gjatë pjesëmarrjes së tij në ceremonitë festive të organizuara në Zagreb të Kroacisë me rastin e anëtarësimit të saj në BE, është takuar me shumë personalitete.

Sipas Zyrës së Shtypit në PS, Rama pati mundësinë të zhvillonte disa takime pune me Zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker, me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, me Kryeministrin sllovak Robert Fico, Zv.Kryeministrin e njëherësh Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Laicak, me Zv.Kryeministrin e njëkohësisht Ministër për çështjet e BE-së të Danimarkës, Nicolai Wammen, me Ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, si dhe Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Zyra e Shtypit në PS, thekson gjithashtu se në të gjitha takimet e zhvilluara ka mbizotëruar fryma e bashkëpunimit reciprok dhe interesit të vazhdueshëm të këtyre vendeve për hapat që do të ndjekë Shqipëria në rrugën e saj të pakthyeshme drejt integrimit europian.