Rama takim me mësuesit: Ky 7 mars ju gjen me 4 % më shumë të ardhura

55

rama_2013Kryeministri i vendit, Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një takim me mësuesit, me rastin e afrimit të festës së 7 marsit. Gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se kjo festë i gjen mësuesit me më shumë të ardhura se një vit më parë, falë vendosjes së taksës progresive.

“Këtë vit ka patur një rritje reale të pagave për 40 mijë mësues. Kjo rritje është diku te 4 %. Kështu, falë taksimit të ndershëm mësuesit e gjimnazeve përfitojnë rreth 20 mijë lekë më shumë, ata të shkollave 9-vjeçare, 22 mijë lekë më shumë dhe edukatoret dhe pastruesit, 22 deri në 29 mijë lekë më shumë”, tha kryeministri gjatë fjalës së tij.

I pyetur nga mësuesit lidhur me reformën e altertekstit. Rama tha se ajo reformë tregoi se ishte e dështuar dhe se tani po bëhen konsultimet për kryerjen e një reforme të re.

“Moria e teksteve të prodhuara nuk ishte reformë. Alterteksti degradoi marrëdhëniet mësues-nxënës. Ne kemi hapur një dialog me ju përmes drejtorive rajonale të arsimit, dhe kemi marrë mendimet tuaja lidhur me këtë çështje. Pjesa më e madhe e juaja bie dakord se kjo gjendje është e papranueshme dhe alteteksti nuk mund të vazhdojë”, tha Rama.