“Qeveria jonë i jep rëndësi të posaçme partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mëshirimi i këtij partneriteti në frontin e NATO-s nga llogoret e Irakut dhe Afganistanit, tek përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri. Ne s’duhet ta harrojmë që SHBA-të janë miku dhe aleati më i madh i shqiptarëve”, -u shpreh Rama.
Këtë deklaratë, kryeministri Rama e bëri në ceremoninë e prezantimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Baze.
Të pranishëm në ceremoni ishin dhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe atashe ushtarakë.
Në fjalën e tij, Rama tha se qeveria do të japë mbështetjen e saj në modernizimin ligjor dhe ngritjen e Forcave të Armatosura në standartet e NATO-s.
“Qeveria i jep përparësi reformës së gjithanshme të FA-së. Reformim të sistemit të edukimit, arsimimit dhe trajnimit të FA-së. Rritjen e kapaciteteve për emergjencat civile. Qeveria është e qartë për problemet e trashëguara dhe e ndërgjegjshme për vështirësitë që po kalon vendi. Qeveria do bëjë përpjekjet që FA ta kalojë me sukses këtë fazë reformimi. Shfaqja e korrupsionit në nivelin e lartë të drejtimit do ti takojnë të shkuarës”.- deklaroi Rama.
Rama fjalën e tij hyrëse e nisi duke përshëndetur fillimisht ushtarët e FA-së dhe më pas gjeneralët dhe ministren, duke mos iu përmbajtur rregullit protokollar. Sipas Kryeministrit, ky ndryshim në protokoll nuk u bë për të shkelur rregullat, por për të vlerësuar punën e ushtarëve.