Rama konfirmon: Jo, Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë proces

50

ramaKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ashtu siç kishte paralajmëruar ka dalë në një konferencë të posaçme për shtyp për të bërë publik vendimin e Shqipërisë lidhur me kërkesën për asgjesimin e armëve kimike të Sirisë.

“A mund dhe a duhet t’u thoshte jo në parim SHBA-ve Shqipëria. A mund të imagjinohej se SHBA ia hoqi duart armëve kimike një vrasësi për të vrarë më pas shqiptarët?

Kjo është pjesa e vështirë pa të cilën sot Miloshevici mund të ishte ende në qafën e gjysmës së shqiptarëve. Sot pakkush dëshiron të kujtohet për bombat e Amerikës që çliroi gjysmën e kombit tonë.

Bombat e Asadit sipas PD dhe dezinformuesve kryeministri i Shqipërisë kërkon t’i plasë në Shqipëri. Dua t’i shoh në sy të gjithë, ata që më besuan në 23 qershor dhe janë të frikur nga skenaret e apokalipsit.

Ju që më votuat për ëndrrën e Rilindjes, për të mos vrarë më kurrë në bulevard nga dritaret e kësaj godine, ju vajza dhe djem, prindër që sot prisni me zemër të dridhur, mësojeni sot dhe ju lutem përulësisht dhe mos e harroni kurrrë: unë nuk do t’u tradhtoja kurrë për asnjë arsye, asnjë interes dhe nuk do të bëja kurrë asgjë që do të cenonte jetën dhe sigurinë tuaj.

Nuk kemi marrë asnjë angazhim përfundimtar për ta çuar këtë çështje për vendim në Parlament. Më vjen dhe sot përmes dritares thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Eruopa” dhe më lejoni t’u them se për këtë jam përpjekur.

Dua t’i pyes ata që me plot të drejtë e bënë këtë thirrje. A e dini se në Shqipëri ka 31 pika të helmuara që vrasin përditë ngadalë.

Në gjithë procesin ju kam përfaqësuar ju dhe Shqipërinë me respektin më të madh për SHBA dhe krenari. Pyetje si “pse vetëm Shqipëria” më ka munduar vazhdimisht. Kjo pyetje më ka munduar sepse Shqipëria që na kanë lënë është lehtësisht e atakueshme dhe e mbushur me plehra.

Këtu ju vjen radha atyre që çanë partneritetin tonë të shkëlqyer me SHBA. Unë e di mirë sa ju dhemb ju humbja e pushtetit dhe goditja që po merr krimi ekonomik që ndërtuat mbi trupin e Shqipërisë.

Pse, biznes për djalin tim dhe biznesmenët është çmontimi i armëve kimike, o ju që i çmontonit në Gërdec  me nëna fëmijësh.

Referendumin kundër plehrave, Shqipëria e bëri në 23 qershor.

Asnjë vendim nuk është marrë, sepse asnjë vendim nuk mund të merrte Shqipëria pa ata 1 milion që bënë të mundur ndryshimin.

Kjo Shqipëri e vogël nuk mund të ishte as e para, as e dyta që të refuzonte. E pra unë nuk kam dilema për këtë. Ne jemi vërtet të vegjël e të vrafër, por nuk mund të bëhemi të mëdhenj duke u ngutur të sillemi si të tillë pa qenë.

Të dashur të rinj protestues. Protesta juaj ishte e vetmja dallëndyshe e pastër në qiellin e mbushur me gënjeshtra, urrejtje e delire.

Unë ndihem mirë për ju dhe prindërit që deri dje i frikeshin protestës, pa u shqetësuar nga grykët e pushkëve në dritaret e Kryeministrisë.

Asnjë problem, sot nuk është dita për t’u ndryshuar mendjen, sepse pavarësisht se nuk jemi dakord për një gjë kaq të rëndësishme, jemi dakord për një tjetër: siç kemi nevojë për qeverisës të mirë, kemi nevojë për protestues të mirë.

SHBA nuk vrasin njerëz dhe pa to nuk do të kishte sot dy shtete shqiptare në Europë. Lërini në marrinë e tyre ata që nxisin antiamerikanizmin, ata që nxisin me shpifje e vrer, që majmen në kurrizin tuaj.

Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë proces!