Rama: Ngjela është aset opozitar i këtij vendi, kundër të gjithëve, edhe kundër vetvetes

57

edi-rama-ne-opinion-300x218Kryeministri Edi Rama, ka reaguar ndaj kritikave që Spartak Ngjela i kishte adresuar ditë më parë në lidhje me ndryshimin e trajektores qeverisëse dhe faktin se, qeveria që ka krijuar është qeveri pashallarësh. Në emisionin ‘Opinion’ Rama deklaroi se, Ngjela është aset opozitar i këtij vendi.

“Ngjela është aset opozitar i këtij vendi, kundër të gjithëve, edhe kundër vetvetes. Ka konsideratën dhe respektin tim edhe kur realisht ia fut kot  (…) Spartak Ngjela që i vogël kërkonte një Kryeministër tjetër dhe me sa duket do vazhdojë ta kërkojë gjithë jetën. Uroj të jetojë gjatë që të shohë sa më shumë kryeministra”, -tha Rama.

Rama iu përgjigj edhe një sërë pyetjesh të cilat vinin në dyshim shumë prej emërimeve të fundit të cilat karakterizohen nga mosha e re.

Në lidhje me emërimin  e Drejtoreshës së Doganave, Rama deklaroi, se deri dje Ministrit të Financave nuk ia hapnin fare telefonin as Drejtori i Doganave dhe as ai i Tatimeve, duke gjykuar në këtë mënyrë se edhe kandidaturat e tjera janë të provuara dhe kanë rezultuar jo efikase.

 “Ministrit të Financave deri dje nuk ia hapnin telefonin as drejtori i Doganave dhe as ai i Tatimeve,” tha Rama.

Kryeministri Rama u prononcua edhe mbi fotot që gazeta RD kishte nxjerrë për publikun, ku Drejtoresha e re e Tatimeve, ishte duke pushuar me rroba banje në plazh. Rama tha:

 “Gazeta RD tregon se ku i ka mbetur ora. Pse duhet të nxjerrim dikë me ferexhe aty? Këto janë për botën e talibanëve, nuk janë për botën ku duam të integrohemi”.

Rama tha se është krenar për vajzat që drejtojnë institucionet e rëndësishme.

“Kemi vendosur vajza në krye të disa institucioneve të rëndësishme. Jam krenar që pjesa barbare e përqesh këtë. I kemi provuar ata me bark të madh, edhe ata me yndyrë në gojë,” tha Rama.

Në lidhje me rastet e korrupsionit, Rama  premtoi sërish, se do të dërgohen në prokurori të gjitha rastet e korrupsionit.

 “Ne do e pastrojmë shtetin nga korrupsioni dhe nga paaftësia,” tha Rama.