Këtë herë, kryeministri ka publikuar disa fotografi të mobiljeve origjinale të Kryeministrisë, që siç shprehet ai kalben në depo, pasi ishin zëvendësuar “me sende të blera në pazarin e vulgariteteve”.
“Mobilje origjinale të fillimviteve ’40, prodhuar enkas në Itali për godinën e Kryeministrisë, që kalben në depo bashkë me vlerën e tyre të rrallë estetike e historike. Këto e të tjera vlera të shkatërruara plotësisht apo të zhdukura pa gjurmë, janë zëvendësuar me gjithëfarë sendesh të blera në pazarin e vulgariteteve”,- shkruan Rama.
Dy ditë më parë ishte zëdhënësja e Berishës, Erla Mëhilli, e cila shkruante se “Është e lehtë të rrëzosh një stemë republike, të shkulësh kangjellat, të grisësh perdet e sallës së mbledhjeve, apo të ndërrosh kolltukët e zyrave për të mbushur xhepat. Por, si u siguruan fondet? Kush i financoi punimet? Me ç’procedura u prokuruan materialet dhe shërbimet e kryera? Sa kushtoi e gjithë kjo?”.
Pas reagimit të ish-zëdhënëses Mëhilli, Rama ka postuar në faqen e tij në “Facebook” disa fotografi të bëra së fundmi ku dallohen punëtorët duke rregulluar sheshin përpara Kryeministrisë. “Kontribut vullnetar, zero lek nga buxheti i shtetit”, -shkruante Rama.