Rama mbi armët kimike: Do përfaqësoj me dinjitet interesat kombëtare në bisedime me SHBA-në

52

ramaKryeministri i vendit Edi Rama ka reaguar sot në lidhje me debatin, që ka përfshirë mediat dhe shoqërinë civile, mbi një vendim të mundshëm të asgjësimit të armëve siriane në territorin e Shqipërisë. Rama deklaroi se, për momentin nuk është marrë ende një vendim dhe në rast se, do të lind nevoja për të marrë një vendim, ai do të jetë transparent. Rama theksoi gjithashtu se, thjesht është folur me autoritetet amerikane mbi këtë temë dhe se, duhen marrë parasysh dhe përgjegjësitë, që lindin duke qenë vend anëtar i NATO-s, përballë detyrimit për ndihmesë në shkatërrimin e armëve vrasëse të një regjimi vrastar.

Rama tha se, qytetarët shqiptarë duhet ta dinë, se ai është i vetëdijshëm dhe se është në krye të detyrës me dinjitetin e duhur për të përfaqësuar interesat kombëtare në diskutimet me SHBA-të.

Deklarata e plote e Ramës

Kjo hyn në çështjen e dialogut të brendshëm, unë dua të theksoj shumë qartë, fakti që nuk na më shumë informacion se sa informacioni që ka dhënë Ministri i Jashtëm para Komisionit të Jashtëm ka të bëjë me faktin se nuk ka më shumë informacion. Kemi thënë mes Bushatit, duke iu përgjigjur interesit të medias gjatë vizitës së tij në Francë se jemi kontaktuar nga SHBA dhe në këndvështrimin tim e kundërta do të ishte shqetësuese, që Shqipëria të mos kontaktohej, për një çështje që janë në kontakt të gjitha vendet e NATO-s.

Kemi thënë se në fillimin e këtyre kontakteve ka pasur bisedë mes meje dhe Kerri për 30 minuta ku kemi diskutuar për këtë çështje dhe po ju them që nuk ka asnjë vendim dhe nuk ka asnjë transparencë më shumë se kaq që mund të bëhet për një arsye shumë të thjeshtë se ne jemi bashkë me vendet e tjera në një diskutim të brendshëm dhe nuk jemi në kushtet kur na duhet të marrim vendim, në momentin që do na duhet të marrim vendim këtë do ta ndajmë me publikun dhe pa asnjë dyshim me parlamentin.

Do të thotë që në kushtet në të cilat flasim jam i vetëdijshëm për ndjeshmërinë shumë të lartë që ka krijuar kjo çështje, por nga ana tjetër u them shqiptarëve se pjesa më e madhe e gjërave që thuhen janë të pavërteta, ashtu sikundër nga ana jonë as nuk na takon, e as nuk është në etikën e familjes euroatlantike që të bisedojmë jashtë nesh në kuptimin e njerëzve që po bisedojnë në emër të vendeve anëtare për atë që po bisedojmë brenda për brenda, që përfshin një gamë të gjerë çështjesh, por që nuk lidhet ende me një vendim.

Askush nuk duhet ta harrojë, se jemi anëtare të NATO-s, e duhet të niset nga ky fakt dhe nga objekti i këtij diskutimi, që është çarmatosja pa luftë në terren e një regjimi vrastar dhe të mos bëjë asnjë krahasim të mundshëm, se nuk ka një të tillë me pozicionin tonë shumë të qartë për të shfrytëzuar këto katër vite për të pastruar Shqipërinë nga plehrat duke filluar nga ndalimi i importit të plehrave, të krahasosh këto dy gjëra është e padrejtë.

Së dyti është shumë e rëndësishme që çdo qytetar i shqetësuar, çdo prind, çdo gjysh e gjyshe që ndjek me drithërim lumin e të pavërtetave që rrjedh përditë para syve të vet duhet ta dijë se unë jam plotësisht i vetëdijshëm dhe plotësisht në krye të detyrës për të përfaqësuar me dinjitetin më të plotë në këtë diskutim me SHBA e gjithë të tjerëve interesin kombëtar të vendit që është i pandashëm në çështjet e sigurisë nga interesi i SHBA po edhe të çdo familje shqiptare. Arsyeja pse ende nuk i kam takuar direkt përfaqësuesit e kësaj proteste me disa nga të cilët kam komunikuar personalisht, nuk është heshtje që fsheh gjësend, por sepse nuk jemi ende, dhe mund të mos jemi në pikën që na duhet të marrim një vendim.

Nëse do mendoj se duhet të marrim vendim, do ta ndaj me publikun, Kuvendin, por në radhën me të parë me përfaqësuesit e protestës, por duke e mbështetur mbi tërësinë shteruese që i duhen çdo shqiptari, jo vetëm për të mos pasur frikë, as thjesht për të qenë i qetë, por krenar për Shqipërinë dhe i vetëdijshëm për çdo arsye të drejtësisë së një vendimi të tillë.