[embedyt] https://www.youtube.com/watch?v=fA6JmYqimKo[/embedyt]
Kryeministri Rama sot në rubrikën ” Përgjigjia ime” nga makina ku udhëtonte iu përgjigj Leonard Bakillarit, i cili i tërhiqte vëmendjen kreut të qeverisë të mos marrë meritat për atë çfarë natyra është treguar bujare me Shqipërinë.
Leonard Bakillari: Bukuritë natyrore Shqipërisë nuk ja solli Rilindja as ata që ishin para Rilindjes. Nëse doni të merrni merita për natyrën mund ta bëni, është e drejta juaj. Mendoj se është më mirë të merrni merita për ndonjë punë konkrete që duhet të kishit bërë këto 5 vjet.Nuk është Shqipëria 3D zoti Kryeministër.
Në përgjigje Rama e kundërshton qytetarin duke i kujtuar se në 5 vite është bërë shumë nga qeveria e tij për turizmin.
Janë pikërisht investimet dhe masat e marra sipas Ramës që bënë që këtë vit Shqipëria të vizitohet nga 6 milion turistë.
Rama: Nuk e di ku është problemi yt kur unë them mirëmëngjes me një përmbledhje artikujsh nga mediat e huaja për bukuritë natyrore të Shqipërisë turistike. Nuk të vë faj se jetojmë në një mjedis kaq të ndotur me brutalitet, gënjeshtra dyshime sa edhe një mirëmëngjes me një kartolinë të bukur për të uruar ditë të mbarë mund të bëhet shkak për një koment negativ pa pikën e lidhjes.
Shqipëria i kishte këto bukuri natyrore para Rilindjes siç thua ti me ironi, por a më thua dot pse nuk kishte edhe më parë kaq shumë artikuj për bukuritë e Shqipërisë turistike? Nuk besoj se ti hyn tek ata të padëgjueshmit fare, se tërë këto shkrime dhe kronika pozitive në mediat e huaja për turizmin tonë i paguan qeveria me lekët e drogës. Se pastaj do duhet të thoshe se edhe gati 6 milion turistë që presim deri në fund të këtij viti janë droguar nga qeveria për të ardhur në Shqipëri. Shqipëria nuk është ndryshe vetëm në 3D, Shqipëria e sotme është çdo vit e më ndryshe nga 5 vjet më parë.
Por Rama pranon se ka ende problematika dhe sfida me të cilat duhet të përballemi.
Rama: Unë nuk ngrihem në mëngjes me kënaqësinë e gjësë që bëra dje por me ankthin e sa shumë gjërave që duhen bërë sot. E di mirë dhe nuk më zë gjumi nga plehrat që mbeten një problem i madh, nevojat ulëritëse në disa zona me rëndësi të vijës sonë bregdetare për Ujësjellësa dhe Kanalizime, standardet mizerabël të disa segmenteve rrugore.Rri i qetë i dashur Nardi se opozitën që më lë pa gjumë unë e kam brenda vetes dhe 3D më pëlqejnë si tiparet e Shqipërisë që dua të kemi nesër jo si pasqyra që unë të kënaqem sot me veten.