Rama: Janar-shkurt, 2.6 mld më shumë se PD

53

rama-kryeminister_0Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar administratën doganore dhe atë tatimore, për kapërcime parashikimesh edhe gjatë muajin shkurt, gjë që sipas kryeministrit sjell siguri për rilindjen ekonomike të vendit.

“Edhe në shkurt, për të dytin muaj rresht, nën vëzhgimin e rreptë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Doganat dhe Tatimet kapërcyen kufirin e parashikuar nga plani i këtij viti; një plan shumë ambicioz dhe mjaft i vështirë, i cili po përballohet deri tani me një sukses që përbën një sinjal të sigurt se rilindja e shumëpritur ekonomike do të jetë realitet i prekshëm i këtij viti kthese vendimtare për ekonominë e Shqipërisë”, shprehet Rama.

Kryeministri nënvizon se, administrata tatimore ka realizuar planin me 102.5 % duke mbledhur 12 miliardë e 295 milionë lekë të ardhura, 1.2 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose një rritje prej rreth 16% më shumë. Ndërsa, administrata doganore ka realizuar planin e të ardhurave për muajin shkurt 104 % duke arkëtuar 393 milion lekë më shumë se plani dhe 1.2 miliard lekë më shumë se muaji shkurt 2013.

“Të dhënat e përmbledhura të dymujorit janar – shkurt 2014, tregojnë se janë mbledhur në total 26 miliard e 262 milionë lekë, dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, rritja është 2 miliardë e 639 milionë lekë ose 11.2 % më shumë”, përfundon kryeministri.