Kryeministri Edi Rama u bëri apel ambasadorëve të Bashkimit Europian të nxjerrin negociatat dhe çështjen ne integrimit nga loja politike.
Gjatë prezantimit të aplikacionit ‘Ambasada Ime’ të hënën (6 maj) në Javën e Evropës, Rama tha se e vetmja rrugë për Shqipërinë është Bashkimi Europian dhe nuk do ndalemi drejt kësaj rruge.
Rama: “Megjithatë, të gjithë ambasadorëve këtu të pranishëm, të cilët përfitoj nga rasti në këtë ditë të Javës së Europës t’i falënderoj sinqerisht dhe e kam fjalën për ambasadorët e Bashkimit Europian, dua t’ju them se për ne nuk ka rrugë tjetër, është e vetmja rrugë dhe pavarësisht se çfarë ndjejmë ne, kur duhet të kalojmë detin me këmbë për shkak se ka një problem këtu e një problem atje, një problem andej e një problem këtej, ajo që dimë është se kjo është e vetmja rrugë dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim në këtë rrugë.
Kjo është pak, por e sigurt. Ama, ju lutem, bëni atë që mundeni që të mos lejoni që loja me negociatat e brendshme të kthehet në një lojë me zjarrin këtu në vendin tonë. Këtë shqiptarët nuk e meritojnë, këtë Shqipëria nuk e meriton. Sigurisht kjo është përgjegjësi e shqiptarëve, përgjegjësi e të gjithë përfaqësuesve të tyre politikë, por ka diçka shumë të rëndësishme që ju, vendet tuaja kanë në dorë, ta nxjerrin çështjen e integrimit dhe të negociatave nga loja politike, duke i hapur negociatat, duke e bërë të pamundur që për arsye politike, një palë apo një palë tjetër të marrin peng publikun dhe të shfrytëzojnë pikërisht vështirësitë për çeljen e negociatave, si benzine për të hedhur në zjarrin e përplasjes politike.”