Priftërinjtë e dëbuar nga bashkia : Do të kthehemi sërish në kishë

45

prifPriftërinjtë e Përmetit menjëherë pasi policia e bashkisë së këtij qyteti është larguar nga kisha, janë shprehur se kanë vendosur të rikthehen sërish atje.

Ditën e sotme priftërinjtë kanë tërhequr objektet kishtare nga magazina, ku ishin vendosur disa javë më parë, pas largimit të tyre nga bashkia si pasojë e konfliktit për objektin.

Priftërinjtë kanë theksuar se ikona të rëndësishme kanë pësuar dëmtime serioze, si pasojë e kushteve të këqija në të cilat janë mbajtur.

Ata kanë deklaruar për mediat se të gjitha ikonat do të riparohen.

Nga ana tjetër theksojnë se pas pak ditësh do rikthehen me vullnetin e tyre në kishën, nga e cila u dëbuan nga bashkia e qytetit, duke rihapur konfliktin, i cili pak javë më parë mori përmasa serioze.

Konflikti ka qenë për godinën e Pallatit të Kulturës së Përmetit, që prej vitesh ishte shndërruar në kishë me emrin “Shën Maria e Pazarit” dhe që para disa ditësh iu rikthye bashkisë së qytetit, e cila fitoi betejën gjyqësore me kishën mbi pronësinë e objektit.

Pas rimarrjes së godinës nga policia private, bashkia e Përmetit ka izoluar dritaret e godinës së Pallatit të Kulturës me tulla, një masë kjo e marrë me qëllim që besimtarët ortodoksë por edhe priftërinjtë të mos hyjnë më në godinë.