Presidenca: Maxhoranca e re, kërcënime e shantazhe ndaj kreut të shtetit

52

Bujar NishaniInstitucioni i Presidencës akuzoi sot aktorë të mazhorancës së re qeverisëse për shantazhe, shpifje e kërcënime ndaj kreut të shtetit. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Presidenca shpreh shqetësim për atë që e cilëson si “nisje të një platforme shantazhi dhe kërcënimi ndaj këtij institucioni dhe funksionimit të tij kushtetues”.

Presidenca konsideron si shpifje akuzat e fundit në drejtim të këtij institucioni, për akordimin e fondit shtesë nga qeveria ende në detyrë, që u komentua si një formë shpërblimi që kryeministri Berisha i bëri kreut të shtetit, pas firmosjes së vendimit për shndërrimin e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në selinë e re të Partisë Demokratike.

Presidenca sqaron se fondi shtesë i akorduar nga qeveria do të përdoret për realizimin e Samitit të 5-të, të Presidentëve të Ballkanit Perëndimor, i cili sipas sistemit të rotacionit, këtë vit organizohet në Shqipëri me 16-17 shtator 2013.

“Gjatë ditëve të fundit në mënyrë të përsëritur, ndaj Kreut të Shtetit, janë adresuar shpifje, kërcënime dhe shantazhe nga aktorë të maxhorancës së re politike të dalë pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. Akuza më e fundit në lidhje me fondin shtesë të akorduar nga qeveria për Institucionin e Presidentit të Republikës përbën një shqetësim të madh për funksionimin e këtij Institucioni. Ky fond, jepet për realizimin e Samitit të 5-të, të Presidentëve të Ballkanit Perëndimor, i cili sipas sistemit të rotacionit, këtë vit organizohet në Shqipëri me 16-17 shtator 2013. Institucioni i Presidentit të Republikës, garanton qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë, se nuk do të ndalet në funksionimin e tij dhe përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.”- thuhet në deklaratën e Presidencës.