PE, shkurtime me 10 milionë euro në buxhetin e 2014

41
PE/fotoalbaniaplus
PE/fotoalbaniaplus

Eurodeputetët e komisionit të buxheteve, janë prononcuar këtë të mërkurë për reduktim të buxhetit administrativ të Parlamentit Europian, me afërisht 10 milionë euro, në krahasim me projekt buxhetin e Komisionit Europian të qershorit të kaluar. Rezultati është një reduktim në terma reale të buxhetit të parlamentit.

Sipas njoftimit për shtyp të PE-së, marrja parasysh e inflacionit, mesatarisht e vlerësuar me 1,7% më 2014 dhe përfshirja e kostove shtesë, e lidhur me fundin e legjislaturës dhe me aderimin e Kroacisë, ka rritur ndjeshëm buxhetin në terma realë. Gjithsesi, falë shkurtimeve të kryera nga komisioni parlamentar në buxhet, kryesisht për sa i përket vizitave të delegacioneve parlamentare, rritja do të jetë vetëm 1,9% në raport me këtë vit.

Deputetja përgjegjëse për buxhetet administrative Monika Hohlmeier e PPE-së, u shfaq e kënaqur me rezultatin e votimit. “Ne kemi arritur një reduktim në terma realë të buxhetit të parlamentit. Bëhet fjalë për një rezultat të rëndësishëm, duke pasur parasysh që kostot suplementare për deputetët janë vlerësuar tashmë me 2,1% dhe se kostot shtesë të aderimit të Kroacisë me +0,17% “,- deklaroi ajo.

Vota mbi buxhetin global të BE-së për vitin e ardhshëm, do të vazhdojë këtë të enjte, ndërkohë që komisioni parlamentar, do të prononcohet mbi pagesat e politikave të ndryshme evropiane. Parlamenti në tërësinë e tij do të përcaktojë pozicionin e tij mbi buxhetin e vitit 2014, më 23 tetor në Strasburg. Nëse negociuesit midis Këshillit dhe Parlamentit do të bien dakord, atëherë pritet kalimi për votim të tij, gjatë sesionit të nëntorit./i.t/