PD: Policia e Shtetit nën kontroll partiak

49

ARben RistaniDeputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani me anë të një deklarate për media ka përshëndetur punonjësit e Policisë në të gjithë vendin, ndërsa ka nënvizuar se policia e shtetit sot, ndodhet në ditët më të vështira të saj. Këtë vështirësi Ristani, ia dedikon faktit, se PS ka vënë në krye të Policisë së Shtetit, militantët partiakë, duke u përpjekur ta vendosë Policinë tërësisht nën kontroll partiak. Por, Ristani thekson gjithashtu që Partia Demokratike, do të jetë vigjilente,  për të ndalur përpjekjet tinëzare të qeverisë socialiste.

“Sot, me rastin e 101 vjetorit  të krijimit të Policisë së Shtetit, Partia Demokratike, gjen rastin të përshëndesë dhe të urojë punonjësit e policisë në gjithë Shqipërinë. Partia Demokratike vlerëson lart rolin që ka luajtur policia e shtetit në forcimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Shqipëri. Janë punonjësit e policisë së shtetit që me përkushtimin dhe sakrificat e tyre i kanë sjellë Shqipërisë shërbime dhe rezultate të vyera  për rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve, si dhe për procesin e integrimit europian të vendit.   Megjithëse sot, Policia e Shtetit po kalon ditët e saj më të këqija, për shkak se profesionistët janë shkarkuar ose janë lënë në hije dhe në skenë kanë dalë e drejtojnë militantët e Partisë Socialiste. Megjithëse sot kriminaliteti  është rritur dhe pasiguria e qytetarëve është shtuar sepse policinë e shtetit e drejtojnë numëruesit dhe donatorët socialistë. Sërish ne besojmë se në strukturën e saj, policia ka ende shumë punonjës të përkushtuar  që e duan vendin dhe popullin e tyre. Ne i përshëndesim të gjithë ata,  dhe i sigurojmë se Partia Demokratike është gjithnjë në krah të profesionistëve të ndershëm.   

Partia Demokratike është përballë dhe do luftojë e vendosur kundër përpjekjeve tinëzare të qeverisë për ta vënë Policinë e Shtetit tërësisht nën kontroll partiak. Partia Demokratike është dhe transmeton te çdo punonjës policie sigurinë dhe bindjen se çdo përpjekje për të ulur dhe nëpërkëmbur dinjitetin e Policisë së shtetit, dinjitet të vendosur me shumë mund dhe përpjekje, është e destinuar të dështojë shumë shpejt. Koha e keqe që po kalojmë nuk e eklipson historinë e pasur me arritje, sakrificën dhe kontributin e madh të Policisë së Shtetit ndaj vendit tonë. Gëzuar të nderuar punonjës të policisë së shtetit përvjetorin e krijimit të organizatës tuaj“, u shpreh Ristani.