“Sot, me rastin e 101 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, Partia Demokratike, gjen rastin të përshëndesë dhe të urojë punonjësit e policisë në gjithë Shqipërinë. Partia Demokratike vlerëson lart rolin që ka luajtur policia e shtetit në forcimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Shqipëri. Janë punonjësit e policisë së shtetit që me përkushtimin dhe sakrificat e tyre i kanë sjellë Shqipërisë shërbime dhe rezultate të vyera për rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve, si dhe për procesin e integrimit europian të vendit. Megjithëse sot, Policia e Shtetit po kalon ditët e saj më të këqija, për shkak se profesionistët janë shkarkuar ose janë lënë në hije dhe në skenë kanë dalë e drejtojnë militantët e Partisë Socialiste. Megjithëse sot kriminaliteti është rritur dhe pasiguria e qytetarëve është shtuar sepse policinë e shtetit e drejtojnë numëruesit dhe donatorët socialistë. Sërish ne besojmë se në strukturën e saj, policia ka ende shumë punonjës të përkushtuar që e duan vendin dhe popullin e tyre. Ne i përshëndesim të gjithë ata, dhe i sigurojmë se Partia Demokratike është gjithnjë në krah të profesionistëve të ndershëm.
Partia Demokratike është përballë dhe do luftojë e vendosur kundër përpjekjeve tinëzare të qeverisë për ta vënë Policinë e Shtetit tërësisht nën kontroll partiak. Partia Demokratike është dhe transmeton te çdo punonjës policie sigurinë dhe bindjen se çdo përpjekje për të ulur dhe nëpërkëmbur dinjitetin e Policisë së shtetit, dinjitet të vendosur me shumë mund dhe përpjekje, është e destinuar të dështojë shumë shpejt. Koha e keqe që po kalojmë nuk e eklipson historinë e pasur me arritje, sakrificën dhe kontributin e madh të Policisë së Shtetit ndaj vendit tonë. Gëzuar të nderuar punonjës të policisë së shtetit përvjetorin e krijimit të organizatës tuaj“, u shpreh Ristani.