Pas Beogradit, Fyle pritet të vizitojë Prishtinën

46

StefanFuleStefan Fyle, Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë në BE pas vizitës në Beograd pritet sot të shkojë në Prishtinë. Takimi zhvillohet në kuadrin e bisedimeve për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Komisioneri Fyle do të mbajë gjithashtu një fjalim në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë qëndrimit të tij në Beograd në kuadrin e hapjes së negociatave të aderimit të Serbisë në BE, Fyle ka theksuar se është e rëndësishme të ecet më tej me Planin e Zbatimit të Marrëveshjes së Normalizimit me Kosovën, për pikat për të cilat është rënë dakord.

Me hapjen e Kapitullit 35 ‘Të tjera’ Fyle deklaroi se çështja e Kosovës do të trajtohet në këtë Kapitull i cili u hap tani, por do të mbyllet në fund të negociatave me Serbinë.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Normalizimit Serbi- Kosovë më 19 prill në Brukesl, për të dy shtetet u hap drita jeshile drejt Bashkimit Europian. Paralelisht me kushtet të cilat kërkojnë fazat përkatëse negociuese, një rol kyç do të ketë aplikimi i Marrëveshjes së arritur në terren nga të dy palët.