Panariti me tregtarët e daterit: Mos e tregtoni, bëheni bashkëfajtorë në krim

66

Edmond_PanaritiMinistri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, thirri sot në një takim tregtarë e pronarë restorantesh që merren me shpërndarjen dhe servirjen e daterit për konsumatorët.

Të pranishëm në këtë takim ishin dhe drejtuesit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si dhe specialistë të AKU-së të cilët janë urdhëruar nga Ministri Panariti për të zbatuar pa asnjë hezitim ligjin Nr 64/2012 që ndalon vjeljen dhe shpërndarjen e daterit.

“Ministria e Bujqësisë do jetë në krahun tuaj me mbështetje konstante në mënyrë që konsumatorit shqiptar t’u ofrohen produktet e detit dhe molusqet në sasinë dhe cilësinë e kërkuar, por nga ana tjetër ne jemi të ndërgjegjshëm që përpos nevojës që ka tregu, dhe dëshirës së konsumatorit për t’u furnizuar me produkte të freskëta deti, një detyrim madhor është që kjo të bëhet sipas kërkesave të ligjit. Për këtë arsye siç është i rëndësishëm furnizimi i tregut me produkte të freskëta të detit, po aq e rëndësishme është ruajtja e mjedisit ku këto produkte vilen. Në këtë pikëpamje me lejoni të tërheq vemendjen e të gjithë operatorëve të kësaj fushe, që në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojnë vjeljen e produkteve të detit, veçanërisht molusqeve bivalë, vjelja e të cilëve kërcënon ndjeshëm mjedisin nënujor, posaçërisht shkëmbinjtë nënujorë gëlqerore por dhe brezin koralor. Dhe këtu e kam fjalën për moluskun litofaga- litofaga, apo ai që njihet ndryshe dhe me emrin dateri, vjelja dhe tregtimi i te cilit dëmton shumë mjedisin nënujor, shkëmbinjte gelqeror dhe brezin koralor të vendit. Për këtë arsye kërkoj bashkëpunimin tuaj thjesht për zbatimin e ligjit që ndalon sikurse në gjithë Europën vjeljen, tregtimin dhe furnizimin e gjithë rrjetit të restoranteve me këtë lloj molusku. AKU ju ka dërguar njoftim zyrtar tashmë përmes të cilit ju kujton se vjelja e këtij molusku është tërësisht e ndaluar. Majfton t’ju kujtoj juve dhe konsumatorit shqiptar që duhet të bëhet dhe ai aktor i ndalesës së konsumit dhe të vjeljes së një molusku të tillë se thjesht një pjatë spageti e përgatitur me këtë lloj molusku është ekuivalente me dëmtimin e një metri katror shkëmbi nënujor, ekuivalente me dëmtimin e një metri katror barriere koralore të ujërave të bregdetit tone. Nuk mund të lejojmë shkretëtirëzimin e bregdetit tonë për hir të një molusku. Kemi ospione të tjera të bollshme për t’i ofruar konsumatorit shqiptar: telinet, vongolat, midhjet që mund të ofrohen në gjithë mënyrat e mundshme, qoftë në pastën me fruta deti apo produkte në forma të ndryshme. Por duhet të heqim dorë përfundimisht nga vjelja e daterit, pasi me një akt të tillë bëhemi bashkëfajtorë në një krim të pariparueshëm ekologjik. Dëshiroj t’i përgjigjeni sa në shpejt këtij apeli, ndërkohë AKU ka marrë gjithë masat për largimin me çdo kusht nga tregu, nga gjithë sistemi i vjeljes dhe shpërndarjes por edhe tregtimit. U bëj apel gjithë restoranteve të heqin nga menytë e tyre urgjentisht daterin si ofertë ndaj konsumatorit” tha Ministri Panariti.

Ndërkaq përfaqësuesit e restoranteve dhe tregtimit të daterit u shprehën se kjo është një nismë e mirë dhe përderisa ligji e kërkon ata janë dakord. Ata garantuan se përsa i përket peshkimit me dinamit, një peshk i kapur në këtë mënyrë nuk pranohet në restorantet shqiptare, dhe shitet vetëm në mënyrë të paligjshme në rrugë.

Përfaqësuesit e restoranteve dhe tregtimit të daterit kërkuan të bëhet më shumë nga AKU për të larguar nga rruga të gjithë ata që shesin peshk në kova apo pajisje të tjera rrethanore.

Vetë drejtori i përgjithshëm i AKU, Afrim Bakaj, deklaroi se tashmë është bërë një plan nga dikasteri i tij për të ndërhyrë në gjithë restorantet me qëllim ndalimin e tregtimit dhe servirjes së daterit.