Nishani u uron katolikëve dhe ortodoksëve për Festën e Pashkëve

58

For the story BC-EU—Albania-PresidentNëpërmjet një mesazhi, Presidenti Bujar Nishani u uron Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolikë dhe ortodoksë shqiptarë kudo që ndodhen.

Në mesazhin e tij për besimtarët katolikë, Kreu i Shtetit shprehet se “në vlerën shpresëdhënëse të së cilës besojnë të gjithë të krishterët dhe jo vetëm, ju uroj të gjithëve të jetoni në familje dhe në shoqëri paqen dhe mirësinë që rrezaton kjo e kremte”.

“Qoftë kjo ditë dhe gjithë të tjerat pas kësaj, ditë plot vullnet, kurajë dhe forcë për të përballuar çdo vështirësi! Është dita kur ringjallet shpresa, ndihet më i plotë gëzimi dhe harmonia mes njëri- tjetrit. Dita e bekuar e Pashkëve le të na ndihmojë ta jetojmë më thellë shpresën për një jetë më të mirë në familje dhe në shoqërinë  shqiptare”, deklaron Nishani.

Ai thekson se “festa e Pashkëve sivjet i gjen shqiptarët me besim se do të bëjmë përpara në afrimin drejt familjes europiane. Është një provë që kërkon më shumë se kurrë të shpalosim harmoninë, mirëkuptimin dhe dinjitetin tonë si komb”.

Sipas tij, të besosh tek e mira, te shpresa, te paqja dhe te jeta më e mirë, është oguri më  i mirë i kësaj feste. Dhe ne e meritojmë edhe shpresën, edhe jetën më të mirë.

Ndërsa në mesazhin drejtuar besimtarëve ortodoksë, Presidenti shprehet se Festa e Pashkëve, duke na forcuar edhe më shumë besimin dhe dëshirën për mirësi, na shtyn të gjithëve, besimtarë ortodoksë apo jo, të rigjallërojmë shpresën dhe forcën për të qenë ashtu si na e  kërkon vetë dita e shënuar e Pashkëve.

“Dita e Ringjalljes na ndihmoftë të gjithëve për të besuar edhe më shumë tek e mira, për të qenë të prirur ndaj bashkëjetesës së harmonishme!Sivjet ne kemi sfidën e madhe për t’iu afruar edhe më shumë familjes europiane. Kjo sfidë varet më së shumti nga mirëkuptimi që do të jemi të zotë të realizojmë midis nesh dhe nga dëshira për të pasur një vështrim më të kthjelltë mbi të nesërmen”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.