Presidenti Nishani dhe Zv.Kryeministri Venizelos, gjatë takimit, shkëmbyen mendime për nivelin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë dhe mundësitë e zhvillimit të tyre të mëtejshëm, në fusha me interes të ndërsjellë, në planin dy dhe shumëpalësh si edhe në kuadër të forcimit të bashkëpunimit rajonal.
Duke e falenderuar Ministrin Venizelos për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e shndërrimeve demokratike, mikpritjen e emigrantëve të shumtë dhe integrimin euroatlantik, Presidenti Nishani theksoi se, në kushtet kur dy vendet tona janë anëtare në NATO, bashkëjetojnë në fqinjësi të mirë dhe ndërmjet tyre ekziston edhe një traktat miqësie dhe bashkëpunimi, është e domosdoshme që Parlamenti Grek të heqë ligjin e luftës dhe të njihet e drejta e mohuar e pronave në vendin fqinj për qytetarët shqiptarë.
Kryediplomati grek Venizelos u shpreh se Greqia e ka shpallur gjendjen e paqes me Shqipërinë me vendim të Këshillit të Ministrave që në vitin 1987 dhe se qytetarët shqiptarë mund tu drejtohen gjykatave greke, ose atyre evropiane për të drejtën e pronës, ndërsa kërkoi që të zgjidhet çështja e Paktit Detar mes Greqisë dhe Shqipërisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare të detit.
Presidenti u shpreh në favor të rifillimit të bisedimeve për Paktin Detar, bazuar në frymën e mirëkuptimit dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit, pasi kërkoi nga bashkëbiseduesi që Greqia të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin evropian, shtoi se Shqipëria do të vazhdojë t`i kontribuojë paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm rajonal, duke vënë në dukje gjithashtu se Kosova e pavarur ka provuar të jetë faktor stabiliteti për rajonin dhe më gjerë.
Nga ana e tij, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Venizelos nënvizoi se mbështetja e zgjerimit të Bashkimit Evropian në drejtim të rajonit të Ballkanit do të jetë një nga prioritetet e Greqisë gjatë Presidencës së saj evropiane në gjysmën e parë të vitit 2014.