Mos u zini, Shullazi është i të gjithëve!

76

Andi BushatiAndi Bushati
Debati politik rreth ndalimit të bujshëm të Emiliano Shullazit i ngjan në thelb të gjitha debateve shterpë që zhvillohen prej kohësh në këtë vend, për kriminalizimin e palëve, për koncesionet abuzive, për tenderat e miqve dhe familjarëve, për vjedhjen e zgjedhjeve e kështu me radhë.
Edhe njëherë akoma publiku është vënë në rolin qesharak të spektatorit që duhet të shohë pafundësisht filmin : “Hajduti thërret kapeni hajdutin”. Kjo po ndodh edhe tani.
Berisha bërtet për lidhjet e “Saje Qorrit” me të fortin e paprekshëm, për gjobat që i vihen biznesmenëve dhe grabitjen e pronave nga një njeri që ka mbulesën dhe mbështetjen e pushtetit. Zëdhënesit e tij përmendin atë rastin e “luftës” tek rruga e Kavajës, pas të cilës Shullazi u la i lirë menjëherë pas paraqitjes në polici me justifikimin se ndaj tij nuk kishte prova.
Nga ana tjetër, idhtarët e shumicës nuk përgjigjen direkt për këto akuza, por flasin vetëm për kohën kur Shullazi flirtonte me njerzit e Berishës. Ata kanë seleksionuar në memorien e tyre atë rastin kur “miku i sotëm i ministrit të brendshëm” shërbente në majin e vitit 2001 në fushatën e Lulzim Bashës. Kur ai u kap me armë dhe u la i lirë. Ata kujtojnë prishjen e mitingjeve të PS-së në opozitë dhe ngrejnë pyetjen: Pse kur Berisha ishte në pushtet i akuzuari prej tij, u arrestua dhe u lirua plot tre herë?
Sot berishistët bërtasin se Tahiri nuk ka as guxim ta përmendi të fortin e arrestuar dhe socialistët mbrohen duke thënë : si ka mundësi që Saliu, që nuk le emër pa marrë nëpër gojë, e harroi për 8 vitet e pushtetit të tij Emiliano Shullazin ?
Ky pra është ping pongu i zi që luhet në sytë e publikut.
Dhe në këtë kuptim ai ngjan me një histori që kemi përjetuar më parë.
Me atë kur u vra komisar Dritan Lamaj.
Atëhere ishte koha e pushtetit të PD-së dhe opozita nxitoi të akuzonte se i dyshuari për vrasjen, Arben Frroku, ishte i lidhur me kupolën e policisë, se këndonte me ta me çifteli, pra se shkurt kish guxuar të ngrinte dorën mbi një komisar sepse kishte mbrojtjen e pushtetit.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Rama ndryshoi vendet me Berishën në qeveri. Por akuzuesit e dikurshëm e futën Frrokun e akuzuar në koalicion, e bënë vëllain e tij deputet, nuk e ndoqën procesin e policit të vrarë dhe se fundi fshëhën edhe dokumentat e interpoliti që mund të hidhnin pak dritë mbi këtë ngjarje.
Përfundimi dihet : në shkallë të parë, gjykata e la krimin pa autor dhe i dha mundësinë Arben Frrokut të arratiset.
Sepse ai qe i të gjithëve.
Kështu është edhe Shullazi sot.
Njësoj i demokratëve të djeshëm, sa dhe i socialistëve të tanishëm.
Prandaj disa zëra përtej PD-së dhe PS-së kanë filluar të bëjnë kasandrën për të thënë parathënë lirimin e tij. Dhe nuk është çudi që të ndodhë.
Ai dhe njerzit e tij mund të vazhdojë në rrugën e bëmave të deri tanishme ndërkohë që PS-ja dhe PD-ja do të vijojnë të zihen se kush e ka fajin për të, ashtu si për krimet e tjera, tenderat, koncesionet, lejet e ndërtimit.
Dhe fatkeqësisht kjo kacafytje gladiatorësh fallco do të vazhdojë, deria sa publiku në arenë të kuptojë se PD dhe PS janë e njëjta gjë.
Ata të gjithë janë me Shullazin.
/Shkrimi u publikua ne Lapsi.al/